
TIRANË- Arben Ahmetaj nga arratia vijon betejën e tij me drejtësinë për të hequr masën e sekuestros ndaj pasurive të tij. Pas rrëzimit të kërkesës nga GJKKO, Ahmetaj ka dorëzuar ankimimin në Gjykatën e Lartë, ku kërkon që ti kthehen pasuritë e sekuestruara nga SPAK, të cilat përfshijnë, vila, apartamente dhe llogari bankare.
Vilat që janë sekuestruar në Palasë dhe Hamallë kanë qenë në pronësi të ish-bashkëshortes dhe partneres së Ahmetajt, ndërkohë që sipas prokurorisë janë blerë me paratë e korrupsionit.
Vetë Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut dhe akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Paralelisht me dosjen e inceneratorëve, Ahmetaj është marrë i pandehur dhe për privatizimin e ish-shoqërisë shtetërorë Buka, e cila i është dhënë biznesmenit Lirim Fejzollar, i cili ka ndërtuar në atë zonë një qendër tregëtare. Ahmetaj akuzohet për dëmin që i ka shkaktuar ish-pronarëve të tokës në fjalë, edhe pse vetë ai pretendon se ka mbrojtur interest e shtetit, duke rritur vlerat e aksioneve.
Ahmetaj ka zgjedhur që të gjithë betejën e tij ligjore ta bëjë nga arratia, duke u arratisur jashtë vendit që prej muajit Korrik. Madje ai ka hedhur akuza se hetimet e Prokurorisë janë të nxitura dhe të montuara politikisht, duke hedhur hije dyshime dhe te aleatët e tij të dikurshëm në Partinë Socialiste. /Zëri.ai