Aktualitet

Privatizimi i ish-fabrikës “Buka”, shtyhet seanca paraprake për Arben Ahmetajn

SPAK vijon hetimet për biznesmenin Fezollari si dhe 7 ish-punonjës të ministrisë së Financave

E.K
Privatizimi i ish-fabrikës “Buka”, shtyhet seanca paraprake
Arben Ahmetaj

TIRANË- Është mbajtur në ambientet e Gjykatës së posaçme seanca paraprake në ngarkim të ish-ministrit Arben Ahmetaj, në lidhje me privatizimin e ish-shoqërisë shtetërore ‘Buka’.

Në seancë ka qenë i pranishëm vetëm avokati mbrojtës i Ahmetajt, Henrik Ligori. Seanca u shty për në 2 Shkurt, ndërsa avokatët kërkuan rikthimin e çështjes për hetim. 

“Kërkesat tona janë që kërkesa për gjykim të deklarohet e pavlefshme, aktet ti rikthen prokurorisë. Prokuroria të detyrohet të njohë mbrojtjen me të gjitha aktet sipas ligjit dhe më pas të fillojë procedura. Qëndrimi i SPAK ishte që nuk pati ndonjë qëndrimet të qartë. Gjykata kërkoi kohën e saj”, u shpreh Ligori pas seancës.

Ahmetaj akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, ndërsa prokuroria vijon hetimet për biznesmenin Lirim Fezollari, i cili është dhe përfituesi i truallit në fjalë, duke ngritur mbi të qendrën tregtare Emerald.  

SPAK ka dyshime se Ahmetaj dhe Fezollari kanë pasur një komunikim përtej institucional me tyre, dhe ish-ministri e ka favorizuar biznesmenin në privatizimin e kësaj prone, që i përkiste shtetit, dhe për të cilën ka pasur një gjyq të fituar nga ish-pronarët.

Këtë procedurë, paraardhësi i Ahmetaj, Shkëlqim Cani e kishte refuzuar. Edhe Cani u pyet muaj më parë nga Struktura e Posaçme në lidhje me këtë çështje.

Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka./ZËRI 

Poll

MOS HUMB