Aktualitet

U arrestua pas atentatit të Gentjan Bejtjës në Fushë Krujë, lirohet nga burgu Valter Bami

Pavarësisht se në dorën e Valter Bamit janë gjetur gjurmë baruti, ai u akuzua vetëm për armëmbjatje pa leje.

D.XH
U arrestua pas atentatit të Gentjan Bejtjës në Fushë
Valter Bami, Gentjan Bejttja dhe Ramazan Sino

FUSHË-KRUJË – Gjykata ka liruar nga burgu Valter Bamin. Ndryshimi i masës u shpall me shuarje të masës së sigurisë, pasi u kalua afati 6-mujor i masës së arrestit me burg, kohë gjatë së cilës mund të bëhen hetime. Aktualisht ndaj Bamit, nuk ka akuzë për vrasje. Ndaj Valter Bamit Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg vetëm për armëmbajtje pa leje. Gjykata deklaroi se për këtë vepër penale, afati i arrestit me burg për hetime është  6 muaj.

Atentati në Fushë Krujë, si u arrestua Valter Bami më 6 korrik 2023

Më datë 4 korrik 2023, në fshatin Larushkë të Fushë Krujës, u organizua një atentat ndaj Gentjan Bejtjas. Në këtë atentat janë plagosur dy djemtë e Bejtjas, 10 dhe 13 vjeç, ndërsa mbeti i vdekur kunati i objektivit, Ramazan Sino, 29 vjeç, shofer në Prokurorinë e Apelit.

Policia e Tiranës në atë kohë njoftoi se për ngjarjen ka arrestuar Valter Bamin, të konsideruar si një nga “të fortët” e Niklës. 37-vjeçari u shoqërua një ditë pas atentatit dhe iu morën shenjat e gishtave. Nga ekspertiza, në dorën e majtë të Bamit janë konstatuar mbetje të barutit. Kjo nënkupton se ai ka shtënë me armë zjarri natën e vrasjes. "Rreth orës 04:00 të po kësaj date, është shoqëruar shtetasi Valter Bami, 37 vjeç, të cilit i janë marrë faktorët plotësues dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme e më pas është lënë i lirë, ju informojmë se: Sot me datë 06.07.2023, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të shtetasit V. B., janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri", informoi policia më datë 6 korrik 2023.

Bashkë me të, më 6 korrik janë shoqëruar edhe dy miq të Valter Bamit, si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Mbi bazën e akt ekspertimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lëshuar më datë 06.07.2023, urdhrin e ndalimit për Valter Bamin për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.

Atentati ndodhi pak pas mesnatës më 4 korrik 2023, kur Ramazan Sino sapo kishte hyrë me makinë në oborrin e kunatit të tij, së bashku me nipat. Në drejtim të tyre është qëlluar me breshëri armësh, duke lënë dajën e të miturve të vdekur në vend, ndërsa dy të mitur u plagosën. Autorët dogjën makinën, së bashku me tre kallashnikovë në afërsi të Tapizës, me qëllim që të zhdukin çdo gjurmë.

Pavarësisht faktit se në kyçin e dorës së Bamit janë gjetur gjurmë baruti, 37-vjeçari u akuzua vetëm për armëmbajtje pa leje. /ZËRI/

Poll

MOS HUMB