
DURRËS-Mariglen Allka, me detyrë efektiv policie në Komisariatin e Policisë në Durrës është përplasur mbrëmjen e kësaj të enjteje nga një makinë teksa kalonte vijat e bardha. Drejtuesi i mjetit, Antonjo Frroku është arrestuar dhe po merret në pyetje. Raportohet se ai drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Blutë e qytetit bregdetar kanë ngritur një grup hetimor, i cili po punon për zbardhjen e ngjarjes.




NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/Informacion paraprak. Rreth orës 18:35, në lagjen nr. 8, përpara ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, automjeti me drejtues shtetasin A. F., ka përplasur shtetasin M. A. punonjës policie në Komisariatin e Policisë Durrës, i cili ishte duke kaluar në vijat e bardha për këmbësorët. Punonjësi i Policisë, shtetasi M. A. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, ndërkaq, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. F. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Durrës, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.