
TIRANË- Thuajse 24 orë pas plagosjes, prangoset 42-vjeçari Klered Bozhanaj. Autori i plagosjes së efektivit të Forcave "Shqiponja" është vendosur në pranga shumë pranë banesës së tij në Tiranë. Sipas të dhënave të para, për arrestimin e Bozhanit ishin angazhuar 600 efektivë policie, ndërsa autori u kap teksa afrohej pranë banesë së tij në rrugën “Hysen Dura”, në zonën e Oxhakut. Bozhanaj ka bërë rezistencë ndaj Policisë, por në fund i janë vendosur prangat.
Po ashtu, me vete ai kishte me vete armën e zjarrit, e po ashtu edhe disa plumba që i kishte mbështjellë me një letër alumini.

NJOFTIMI I PLOTË:
DVP Tiranë
Policia vë në pranga autorin e plagosjes me armë zjarri të punonjësit të Policisë mbrëmjen e djeshme. Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë, për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e Policisë, inspektor E. A., ju informojmë se: Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Klered Bozhanaj, strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e përdorur gjatë krimit.
Plagosja e efektivit ndodhi pasditen e djeshme. 42-vjeçari po ndiqej me motor nga efektivët e Policisë së Shtetit. Në një moment, ai ishte drejtuar për në banesën e tij, e cila ndodhej pranë vendit të ngjarjes në zonën e Porcelanit, por u ndalua nga efektivi. Pikërisht në atë moment, 42-vjeçari ka nxjerrë armën e zjarrit që kishte me vete dhe ka qëlluar mbi efektivin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Për të, Policia e Shtetit nxorri edhe një shpërblim prej 20 mijë eurosh./Zëri.ai