
DURRËS- Pas skanimit dhe shkarkimit të 102 kontejnerëve që dyshiheshin se mbanin mbetje toksike, anija “Moliva” është larguar nga porti i Durrësit dhe është nisur drejt portit italian Gioia Tauro në Calibria. Pasi solli ngarkesën me kontejnerë anija do të vazhdojë me aktivitetin e saj si transportuese.
Operacioni i koordinuar i autoriteteve shqiptare i dha fund qëndrimit të gjatë të anijes në Shqipëri, një periudhë që u shoqërua me procedura të hollësishme sigurie dhe kontrolli. Ndërkohë ngarkesa me mbetje u depozitua në venddepozitimin e krijuar në kohë rekord në periferi të qytetit bregdetar, në Spitallë, në afërsi të EkoParkut, rrugës për në Sektorin Rinia.
Venddepozitimi i sapokrijuar ku ndodhen rreth 2100 mbetje të metalurgjikut është nën administrimin e AAPSK dhe nën monitorim të plotë të kamerave dhe policisë.
Çdo procedurë regjistrohet në proces-verbal, konteinerët vetëm do të magazinohen, pra nuk do të hapen dhe nuk do të kryhet asnjë veprim tjetër deri në përfundim të hetimeve. Në fund, do kryhen paralelisht hetime dhe analiza, kjo për të verifikuar dhe rrezikshmërinë që këto mbetje mbartin për qytetarët dhe mjedisin. Teksa në Durrës kryhej shkarkimi dhe transportimi i kontejnerëve të sekuestruar nga prokuroria, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në mbledhjen e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese tha se mostrat e analizave do të shkojnë në Belgjikë dhe Zvicër, por edhe në 3 laboratore të tjera që do të vërtetojnë nëse kemi të bëjmë me mbetje. /ZËRI