Aktualitet

Mbërrin në Durrës anija “Moliva” me mbetjet toksike që u kthyen nga Tajlanda

Ndërsa, banorët dje organizuan një protestë në portin e Durrësit, ku shprehen shqetësimet e tyre në lidhje me kthimin e kontenierëve.

I.F
Mbërrin në Durrës anija “Moliva” me mbetjet toksike
Protesta në Portin e Durrësit

DURRËS- Anija “Moliva” me mbi 200 kontenierë që dyshohet se përmbajnë lëndë të toksike, mbërriti në portin e Durrësit. Ngarkesa dyshohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti drejt Tajlandës, e cila i refuzoi ato pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.

Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish-kombinatit metalurgjik në Elbasan.

Ndërsa, banorët dje organizuan një protestë në portin e Durrësit, ku shprehen shqetësimet e tyre në lidhje me kthimin e kontenierëve. Në port, u shpalos një banderolë me mbishkrimin "Mbetje të rrezikshme, qeveri toksike". Protestuesit u mblodhën përpara portit ku anija “Moliva” pritet të sjellë 200 kontenierë të dyshuar për përmbajtje të rrezikshme, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve për të parandaluar çdo rrezik për shëndetin publik dhe mjedisin.

Mbetjet toksike të cilat kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, mbi të cilat po hetojnë autoritet shqiptare bashkë me Olaf, thuhet se u nisën nga impianti 'Kurum' pranë metalurgjikut në Elbasan. Mbetjet toksike më pas i ka shitur tek kompania 'Sokolaj'. Më pas, 'Sokolaj' ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024. Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.

Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Ndërkohë çështja është në hetim nga Prokuroria e Durrësit, që po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga "Kurum-i" për t'i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët. /ZËRI

Poll

MOS HUMB