Aktualitet

Merret sërish në pyetje Ruben Saraiva, portugezi: Erdha si turist

28-vjeçari ka deklaruar të njëjtin version si më parë, duke thënë se ai erdhi në Shqipëri si turist dhe nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur.

I.F
Merret sërish në pyetje Ruben Saraiva, portugezi: Erdha si turist
Ruben Saraiva

LEZHË- Portugezi Ruben Saraiva, i cili është i dyshuari për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, u mor sërish në pyetje nga Prokuroria e Lezhës. Saraiva u paraqit në ambientet e prokurorisë i pajisur me jelek antiplumb, ku u shtuan dhe forcat e policisë.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Françesk Ganaj, 28-vjeçari ka deklaruar të njëjtin version si më parë, duke thënë se ai erdhi në Shqipëri si turist dhe nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur. Por, ka pranuar se njihet me Edmond Haxhinë dhe katër britanikët e tjerë që akuzohen për vrasjen e biznesmenit Nikulaj.

Avokati, Kujtim Cakrani tha se nuk ka asnjë provë për klientin e tij. Mësohet se portugezi është marrë në pyetje rreth dy orë, ndërsa sipas “Report TV”, Prokuroria është në pritje të ekstradimit nga Britania të pesë personave të tjerë, për të mbyllur hetimet për vrasjen e biznesmenit.

Avokati i 28-vjeçarit Kujtim Cakrani thotë se nuk ka asnjë prove të re dhe gjithçka lidhet në kuadër të dyshimeve, ndërsa dhe hetimet përfundojnë brenda muajit dhjetor dhe duhet t’i jepet zgjidhje kësaj çështje.

Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri më 19 prill të 2023, teksa ndodhej brenda ambienteve të lokalit të tij në Shëngjin. Në vrasjen e tij akuzohen si të përfshirë 5 persona, porositësi Edmond Haxhia dhe 3 britanikë. Ndërsa personi që qëlloi u identifikua nga policia si Ruben Saraiva. Ky i fundit arriti të largohej jashtë vendit pas ngjarjes, për t’u arrestuar në Marok. Prej andej u ekstradua në vendin tonë në Dhjetor të 2023. /ZËRI

Poll

MOS HUMB