
GJIROKASTËR- Një 60-vjeçare, endacake dhe me probleme të shëndetit mendor është përplasur për vdekje nga një automjet. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme, në aksin Gjirokastër-Tepelenë, në fshatin Humelicë.
Gruaja mësohet se ka qenë duke ecur në mes të rrugës në momentin që mjeti që drejtohej nga një person me inicialet E.M., e ka përplasur. Drejtuesi i mjetit është me profesion mjek. Ai është shoqëruar në polici procedurat e mëtejshme lidhur me ngjarjen.
Njoftimi:
Rreth orës 19:50 në aksin rrugor "Gjirokastër - Tepelenë", në afërsi të fshatit Humelicë, shtetasi E. M., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, duke drejtuar automjetin, ka përplasur këmbësoren, shtetasen H. M., 62 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila si pasojë e përplasjes ka humbur jetën në vendngjarje. Shtetasi E. M., u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.