
GJIROKASTËR- Mbrëmjen e djeshme një 21-vjeçar u paraqit në Spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihmë mjekësore pasi ishte plagosur me thikë. Në njoftimin e policisë, bëhet me dije se është arrestuar autori, 29-vjeçari, i cili ishte shpallur në kërkim.
Mësohet se dy të rinjtë janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe më pas 29-vjeçari e ka qëlluar atë me thikë. 21-vjeçari është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe është në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë, Policia po heton rrethanat e plota të ngjarjes.
"Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në lagjen "Kodra e Shtufit", ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin L. Dh., 29 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. H., 21 vjeç, banues në lagjen "Kodra e Shtufit", i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (thikë).
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”, ju informojmë se Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin E. M., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi automjeti që drejtonte, ka përplasur këmbësoren shtetasen H. M., 62 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila si pasojë e përplasjes ka humbur jetën.
Stacioni i Policisë Memaliaj referoi materialet për vlerësim në Prokurori, pasi ditën e djeshme gjatë kryerjes së punimeve në aksin rrugor "Ballaban-Berat", në lagjen "Coraj", në fshatin Gllavë e Madhe, janë gjetur mbetje kockore, që dyshohet se iu përkasin qenive humane, të vendvarrimeve të vjetra të zonës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme", njofton policia. /ZËRI