Aktualitet

Ilir Beqaj 9 orë në SPAK: Kërkova hetime shtesë

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, pasi ka dalë nga SPAK, ka folur për mediat. Ai tha se ka kërkuar nga Struktura e Posaçme që të zhvillohen hetime shtesë për koncesionin e Sterilizimit.

D.XH
Ilir Beqaj 9 orë në SPAK: Kërkova hetime shtesë
Ilir Beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, pas qëndrimit për më tepër se 9 orë në ambientet e SPAK, ka dalë më në fund. Pas marrjes në pyetje brenda ambienteve të Strukturës së Posaçme, para mediave Beqaj ka folur shkurtimisht. Ai tha se ka pasur një seancë pyetjesh me OPGJ-në për dosjen e sterilizimit, duke shtuar se ka kërkuar që të bëhen hetime shtesë. Madje ka sugjeruar edhe hetimin e një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, para se ai të merrte postin e ministrit. 

“Kam folur kryesisht për ato gjëra që jam pyetur edhe më parë, në korrik 2022 në cilësinë e personit që kam dijeni për ngjarjen, në atë kohë. Bashkë me avokatin kemi kërkuar tek OPGJ që të kryhen dhe disa hetime të tjera hetimore shtesë, në gjykimin tim. Siç ju e dini, në dosje ka disa referenca të akteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, akte që së pari janë vënë në dispozicion pjesërisht, por edhe për faktin që jam audituar për veprimet e mia, por gjatë kohës së studimit nga KLSH, nuk kam qenë ministër dhe nuk jam thirrur asnjëherë nga audituesit”, tha Beqaj.

Një detaj ka tërhequr vëmendjen e gazetarëve gjatë ditës së sotme. Ndërsa Beqaj ishte në ambientet e Strukturës së Posaçme, ai ka marrë gjobë. Kjo sepse ka parkuar gabim makinën e tij luksoze. Ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Beqaj është në fuqi masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, në lidhje me koncesionin e sterilizimit. Ai akuzohet për shpërdorim detyre. Ish-ministri Ilir Beqaj ka thënë se do të jetë në dispozicion të procesit kundër tij. Po ashtu, Beqaj tha se nuk do ta apelojë masën e sigurisë, që SPAK ka vendosur ndaj tij.

GJKKO po ashtu ka urdhëruar që ish-ministri të mos dalë jashtë shtetit dhe të paraqitet çdo ditë të premte në OPGJ. Beqaj dyshohet se ka kryer shpërdorim detyre, në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë procedurave të dhënies me koncesion 100 milionë dollarë për 10 vjet nga Ministria e Shëndetësisë tek shërbimet e integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore. Përpos Beqajt, në pranga për koncesionin e Sterilizimit ka rënë biznesmeni Ilir Rrapaj dhe zv ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. SPAK ka dalë në përfundimin se ka pasur shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, teksa dyshohet se kompania e Ilir Rrapaj dhe shtetasit italian Umbro Staçini është favorizuar.

Ilir Beqaj është vënë nën hetim nga SPAK prej një viti. Beqaj është i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura, për sterilizimin dhe check up. Këto 2 çështje janë duke u hetuar nga 3 prokurorë. Koncensionin e sterilizimit po e hetojnë prokurorët Edvin Kondilli dhe Ened Nakuçi, ndërsa atë të Chek Up po e heton prokurorja Elida Kaçkini./ZËRI

Poll

MOS HUMB