
SPANJË- Goditet rëndë mafia shqiptare në Spanjë. Raportohet se të paktën 11 ton kokainë janë sekuestruar nga autoritetet ligjzbatuese në portet Galicia dhe Valencia. Kokaina ishte e fshehur në kontenjerë dhe vinte nga Amerika Latine, aty ku bandat shqiptare të trafik të drogës janë fuqizuar shumë së fundmi. Sipas mediave spanjolle, këto operacione janë ndër më të rëndësishmit nga sa i përket sasisë së kapur.
Ndërkohë saktësohet se krimi shqiptar në Spanjë, është sot një nga më të fortët në Europë. Këtë të martë përgjegjësit e Njësisë për Drogën dhe Krimin e Organizuar të Policisë Kombëtare së bashku me ata të Agjencisë Tatimore kanë detajuar rezultatet e dy operacioneve të ndryshme të kryera në fund të nëntorit dhe në javën e parë të dhjetorit.
Nga njëra anë, operacioni Tonara ka qenë kapja më e madhe e kokainës në Galicia me 7.5 ton drogë të hequr nga kontejnerë dhe të fshehur në ton të ngrirë, që rezultoi në arrestimin e pesë personave. Operacioni i dytë, i quajtur Fulgor, ka lejuar arrestimin e 15 personave, i fundit prej tyre dje në Madrid dhe sekuestrimin e 3.5 tonë drogë që mbërriti më shumë se një muaj më parë në portin e Valencias.
Siç theksoi edhe kryekomisar i Brigadës Qendrore të Narkotikëve, Antonio Duarte, “Megjithëse janë dy operacione të ndryshme, ka disa hallka të përbashkëta. Pas të dyja dërgesave qëndrojnë rrjetet shqiptare, të cilat janë organizatat që kanë monopolizuar dërgesën e drogës drejt Europës në kontejnerë të dyfishtë nga deti”, theksoi ai./ZËRI