
TIRANË-Mesatarja e lartë prej vitit akademik 2022-2023 nuk është më një kriter pranimi në Universitete për disa degë të programit Bachelor. Sipas skemës të pranimit në Universitete, një maturant mund të aplikojë në studime për tu bërë përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian, gjeograf me një mesatare 6.5.
Gjithashtu në qershor të vitit 2023 u vendos që për studentët që do ndjekin degët e shpallura si prioritet kombëtar nuk do të kenë detyrimin të kenë mesataren 8.5. Degët si Biologji, Kimi, Fizikë, Matematikë, apo Gjuhë Shqipe mund të ndiqen edhe nga maturantë me mesatare më të ulët.
Një ndryshim tjetër është propozuar së fundmi, ku mesatarja mbi 8 për lëndët kryesore për të gjithë aplikantët për në Shkollën e Magjistraturës nuk do të jetë më e nevojshme. Për të gjithë personat të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e konkurist të pranimit për Magjistraturë nuk do iu duhet më të kenë mesatare mbi 8 (tetë) të përgjithashme dhe se pjesë e provimit mund të bëhen persona edhe me mesatare 5 (pesë) e sipër. Vendimet kanë sjellë reagime të shumta të organizatave të shoqërisë civile por edhe juristëve të njohur. Por a duhet të rikthehet mesatraja e lartë si kusht për pranimin në universitete? A duhet të zhvillohet një konkurs pranimi?
Profesor doktor Ethem Ruka, dikur ish-ministër Arsimi në një shkrim të fundit ka bërë një analizë sa i përket pranimit të studentëve në universitete. Ish-ministri kthehet pas në kohë dhe tregon se pa një mesatare të lartë nuk mund të pranoheshe në universitet dhe aq më pak të zgjdhje degën e dëshiruar. Në kohën kur ishte ministër ai propozoi dy ndryshime: e para ishte kalimi i shkollës me pese ditë në javë nga gjashtë që ishte deri atëhere dhe e dyta pranimet në universitetet të mos bëheshin mbi bazën e notës mesatare, por përmes konkurseve. Këto ndryshime erdhën pas takimeve me prindërit në gjimnazin Ismail Qemali, që sipas Rukës mesatarja ishte kthyer në një makth për prindërit dhe nxënësit.
Përpos ndryshimeve që ish-ministri mori në vitet 1997, Ethem Ruka vazhdon të jetë kundër mesatares dhe është pro konkursit.
SHKRIMI I PLOTË:
Im bir, Rudenci, studionte në gjimnazin “Ismail Qemali” të Tiranës. Sapo kthehej nga shkolla pyetja e parë që i bënim ishte për notat që kishte marrë. Ky ritual përsëritej thuajse çdo ditë. Në takimet me prindërit shkonte vazhdimisht ime shoqe, por në një prej tyre shkova unë. Kishte shumë prindër. Të gjithë intresoheshin për ecurinë e fëmijve të tyre. Ishte një takim i zhurmshëm dhe mua nuk më erdhi radha të komunikoja me asnjë nga mësueset.
Më kujtohet si sot një zonjë që i përgjërohej një mësueseje. Ajo i tha se edhe mund ta rrihte vajzën e saj, mjafton që t’i vinte nota të mira. Nuk më kish qëlluar më parë të shihja një prind kaq të nënshtruar përballë mësueseve. Nuk kishte faj. Nota mesatare ishte kriteri kryesor për pranimet në shkollat e larta. Pa një mesatare të lartë nuk mund të pranoheshe në universitet dhe aq më pak të zgjdhje degën e dëshiruar. Takimi i asaj dite më pezmatoi shumë dhe më vuri në mendime.
Arsimi pas viteve 1990 kish filluar të tronditej. Tirana popullohej me shpejtësi nga të sapoardhurit nga viset të ndryshme. Numri i nxënësve për klasë ishte rritur dhe shumë shkolla punonin me dy turne. Poltika kish filluar të fuste duart edhe në arsim. Drejtuesit emëroheshin e çemërohëshin sipas përkatësive partiake. Shumë mësues të mirë, por me bindje të kundërta me partinë në pushtet, transferoheshin në zona aq të largëta sa detyroheshin të braktisnin profesionin. Burimet didaktike ishin varfëruar. Mësuesit kishin rroga minimale dhe nuk e përballonin dot jetesën. Shkolla, sashtu si dhe gjithë shoqëria, ishte në tranzicion.
Në vitin 1997 fillova punë si Ministër i Arsimit dhe Shkencës. Fillimet janë gjithmonë të vështira, por mua qe edhe më e vështirë për shkak të gjendjes së mjeruar të arsimit pas ngjarjeve të vitit 1997. Nuk dije nga ta filloje. Një ndër vendimet e para që mora ishte kalimi i shkollës me pese ditë në javë nga gjashtë që ishte deri atëhere. Ky ishte një lehtësim i dukshëm për mësuesit e nxënësit të cilët do të bënim dy ditë pushim për fundjavën në vend të një dite që kish qenë më parë.
Në morinë e problemeve të shumta më kish mbetur mendja te mesatarja e notave. Takimi me prindërit në gjimnazin Ismail Qemali më kish mbetur në mendje. E kisha analizuar mirë me veten dhe isha bindur që mesatarja ne ato vite nuk ishte reale dhe ishte kthyer në një makth për prindërit dhe nxënësit. Jo rrallë ndodhte që nxënës të dobët merrnin nota të larta, ndërsa nxënës të mirë, por pa përkrahje, merrnin rezultate dëshpëruese. Kur dikur organizoja konkurset e pranimit për në Fakultetin e Mjekësisë kisha vënë re se shumë nxënës që vinin me rezultatet të larta nga shkollat e mesme nuk arrinin të kalonin testin e pranimit.
Heqja e mesatares si kriter pranimi në shkollat e larta nuk ishte një vendim i thjesht administrativ. Duhej një paketë e tërë ndryshimesh për të arritur deri atje. Pas shumë diskutimesh përcaktuam dy ndërhyrje të thella në arsimine mesëm. Së pari, menduam se shkolla e mesme duhej profilizuar të paktën në dy drejtime, në atë shoqëror dhe shkencor. Përvoja ka treguar se prirjet e nxënësve nuk janë të njëjta. Disa janë të fortë në matematikë, por të dobët në gjuhë e letërsi, dhe anasjellas. Kjo do t’u jepte mundësi nxënësve të ndiqnin prirjet e tyre dhe nuk do të ishte e nevojshme të sforcoheshin për të marrë dhjeta që nga matematika e deri te fizkultura. Kjo nuk ishte një shpikje shqiptare. Shkollat e vendet perëndimore kishin kohë që i ishin profilizuar. Të paktën këtë gjë e kisha parë nga afër ku kisha studiuar në Francë.
Së dyti, vendosëm që pranimet në universitetet të mos bëheshimn mbi bazën e notës mesatare, por përmes konkurseve. Konkursi do të provonte realisht njohuritë e nxënësve, pavarësisht nga nota mesatare me të cilën vinin nga shkollat e mesme. Për këto dy reforma filluam fushatën sensibilizuese me mësues, pedagogë të shkollave të larta dhe në media. Nuk ishte e lehtë të ndryshoje mentalitetin. Kishte nga ata që thanë se ky ministër nuk është në rregull dhe po shkatërron shkollat.
Të dy projektet kërkuan shumë punë e mund. U desh të ndryshonim kurrikulat dhe të bënim një strukturë të re për arsimin e mesëm të përgjithshëm. Përfundimisht vendosëm që nxënësit e shkollave të mesme, gjatë dy viteve të para, të bënin një trung të përbashkët lëndësh, ndërsa në vitin e tretë duhet të zgjidhnin mes profilit shkencor dhe atij shoqëror. Për të kaluar nga teroria te realiteti është edhe më e vështirë. Megjthatë, ata që drejtojnë duhet të marrin vendime sado të vështira të jenë. Vendosëm të bënim një eksepriment pilot që do të zgjaste dy vite dhe vetëm në 15 shkolla të vendit e për këtë na u desh të përgatitnim edhe tekste mësimore të reja.
Gjatë atyre dy viteve kam qendruar si në ethe. Mezi prisja mbarimin e vitit të dytë të shkollave eksperimentale, për të parë në se nxënësit do të kishin një shpërndarje normale në përzgjedhjet që do të bënin për dy profilet. Nu kishim gabuar. Kur morëm rezultatet dhe pamë që nxënësit ishin ndarë gati gjysëm për gjysëm në të dy profilet u lumturuam. Projektin e konsideruam të sukseshëm dhe e shtrimë në të gjitha shkollat e mesme të vendit.
Projekti i dytë, aspak i lehtë ishte ai i konkurseve të pranimit në shkollat e larta, pa marrë parasysh notën mesatare. Na u desh që të krijonim një bankë pyetesh e testesh për të gjitha lëndët që zhvilloheshin në shkollat e mesme. Testet u hartuan nga mësuesit më të mirë që kishte vendi. Ata u përzgjodhën vetëm nëse kishin patur nxënës që kishin fituar olimpiadat kombëtare. Për shumë pak kohë, testet u grumbulluan në ministri. Për të qenë të sigurt angazhuam pedagogë universitetesh që ishin autorë tekstesh për shkollat e mesme. Ata filtruan çdo test dhe ne u siguruam që gjithçka ishte në rregull.
70% e testeve të tezës hartoheshin në mënyrë tepër sekrete në Ministrinë e Arsimit, ndërsa 30% e tyre nga vet universitetet. Pjesa e ministrisë kontrollonte më shumë kulturën e përgjithshme, ndërsa ajo e universiteteve pjesën që lidhej me programet e tyre të studimit.
Sot mund të duket e pabesueshme, por për të prodhuar e ruajtur sekretin e tezave, punonjësit e minsitrisë punonin natën dhe nuk lejoheshin të dilnin nga zyrat pa filluar konkursi në Tiranë e rrethe. Ata nuk lejoheshin të komunikonin me askënd. Unë vet rrija të ndiqja procesin deri në orët e vona të natës. Tezat shpërndaheshin nëpër universitetet vetëm në orët e mëngjesit dhe hapeshin kur fillonte konkursi. Çdo tezë shoqërohej edhe me një kompakt disk që kishte zgjidhjet, por që askush nuk e hapte dot pa patur fjalë kalimin. Në mabrim të tesitt kur fillonin korigjimet dërgohej fjalë kalimi. Përgjigjet ishin të gatshme dhe korigjuesit bënin vetëm verifikimin.
Edhe pse pas kaq vitesh u jam shumë mirënjohës punonjësve të ministrisë të atyre viteve. Punuam si ekip dhe me frymë të lartë përgjegjësie. Zëvendëministrat, Mimoza Hafizi, Andrea Marto dhe Sokol Axhemi ishin miqtë e mi më të mirë që mund t'u besoje gjithçka. Pa ta dhe drejtorët Edmond Hajderi, Artan Canaj, Rexhep Çuko dhe Eduard Osmani reformat nuk do kishin qenë të sukseshme. Ditën e konkurseve kishte shumë pjesëmarrës dhe mundoheshim të gjenim salla sa më të mëdha. Ata që monitoronin zhvillimin e konkursit, përgjithësisht nuk ishin mësues ose pedagogë, por punonjës të tjerë të arsimit. Kjo bëhej që askush prej tyre të mos ndihmonte askënd. E gjithë kjo procedurë ishte e ndërlikuar dhe kërkonte shumë mundim. Konkurset janë provë ndershmërie për organizatorët dhe ne duhet ta arrinim me çdo kusht këtë standard.
I gjithë ky projekt u realizua me shumë sukses, si në Tiranë edhe në universitetet e rretheve. Konkurset shmangën plotësisht subjektivitetin që vinte nga nota mesatare. Edhe pse kanë kaluar kaq vite, unë dhe punonjësit e asaj kohe ndihemi krenarë. Nuk e patëm të lehtë por arritëm të ndërtonim një sistem të hekurt që i jepte hakun gjithkujt sipas meritës. Fjala mik në konkurse kish vdekur.
Një ditë, më ndaloi një burrë diku në qendër të Tiranës. Më ke bërë një nder të madh - më tha. U habita se nuk dija as kush ishte dhe as çfarë nderi i kisha bërë. Nuk më la të vrisja mendjen. Jam një njeri i thjeshtë nga Dibra. Nuk më ke takuar dhe as të kam takuar ndonjëherë. Vajza ime, falë konkurseve të ndershme, fitoi në tre degët më të pëlqyera për atë kohë; për drejtësi, mjekësi të përgjithshme dhe farmaci. Nëse nuk do të ishte organizuar një konkurs i tillë, vajza ime mund të kish mbetur edhe pa shkollë. U ndamë si miq dhe i urova më të mirën për vajzën. U ndjeva mirë dhe thashë me vete ja kish vlejtur takimi me prindërit në gjimnazin "Ismail Qemali". Nese më pyetni, edhe sot jam kundër mesatares. Unë, për shumë arsye, ende nuk i besoj asaj. Megjithatë, pasardhësit e mi nuk qenë në një mendje me mua dhe u kthyen sërish te ajo.
/ZËRI