
TIRANË- Ish-nën drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, është transportuar nga paraburgimi, në ambientet e spitalit të Burgut. Burime raportojnë se Breçani vuan nga klaustrofobia, frika nga vendet e mbyllura, një fakt që e ka deklaruar më herët.
Ndërkohë avokatët e Breçanit i kanë dërguar Gjykatës një kërkesë për të kryer ekspertizë mjekësore, pasi pretendojnë se ka probleme me zemrën dhe qëndrimi në qelinë e paraburgimit i rrezikon jetën. Gjykata ka pranuar kërkesën e avokatëve dhe seanca e radhës u shty për ditën e premte, ku do paraqiten dy mjekët që do kryejnë akt ekspertimin. Avokatët e Breçanit kërkojnë ndryshim të masës së sigurisë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Së fundmi Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka sekuestruar HEC-in “Drita”, i cili është në pronësi të Erzen Breçanit dhe të familjarëve të tij. Sekuestrot janë vendosur, pasi SPAK ka dyshime se pasuritë janë vendosur nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ndërkohë, Breçani ka kërkuar zëvendësim mase dhe informacion nga SPAK se në çfarë pike janë hetimet.
Ish-drejtuesi i lartë i policisë Erzen Breçani u arrestua, nëntorin e kaluar pas zbardhjes të disa bisedave në aplikacionin SKY Ecc, ku në pranga përfunduan disa persona, mes tyre edhe shefi i Komisariatit numër 6, Dedan Gjoni. Mes të shpallurve në kërkim janë edhe djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani, si dhe Ervin Mata./ZËRI