Aktualitet

Nuk u jep rrogat punonjëseve dhe refuzon përballjen me to, pronari i fasonerisë sulmon ZËRI-in

Por përveçse nuk morëm përgjigje, u përballem me një reagim të dhunshëm të një prej pronarëve, Hendrik Munega, i cili godet dhe mikrofonin e ZËRI-t.

Edon Kuqi
Nuk u jep rrogat punonjëseve dhe refuzon përballjen me to, pronari i
Gazetari Edon Kuqi, Hendrik Munega dhe punonjëset

TIRANË- ZËRI mbërriti sërish këtë të mërkurë në ambientet e fasonerisë “Passion, Fashion & Co”, në Tiranë për të kërkuar një ballafaqim mes pronarëve dhe zonjave që kërkojnë pagat e tyre. Por përveçse nuk morëm përgjigje, u përballem me një reagim të dhunshëm të një prej pronarëve, Hendrik Munega, i cili godet dhe mikrofonin e ZËRI-t.

Edon Kuqi: Jemi rikthyer sërish në zyrat e “Pasion Fashion” pasi nuk morëm zgjidhje, kemi tentuar disa herë që të kontaktojmë me zonjën Olta. Kemi pasur dhe një bisedë telefonike, por ajo refuzon të përballet live me zonjat që kanë ngritur shqetësimin se nuk kanë marrë pagat. Zonjat kërkojnë intensivisht që të kenë një përballje me kamera me të, ndërsa ajo refuzon, ndërkohë po refuzon të japë një përgjigje të saktë se kur zonjat do ta marrin pagesat. Prandaj ne kemi ardhur sërish sot, në një tentativë tjetër për ti ballafaquar.

(Në zyrë gjejmë vetëm Hendrik Munegën, ky i fundit refuzon të përgjigjet).

Edon Kuqi: Si jeni? Zoti Hendrik?

Hendrik Munega: Po më thuaj.

Edon Kuqi: Jam këtu bashkë me zonjat që kanë bërë denoncim tek ZËRI, mund të vini 5 minuta. Ju lutem.

Hendrik Munega: Jo. Kam punë.

Edon Kuqi: Zonja kërkojnë një ballafaqim me ju, jeni i gatshëm për t’iu përgjigjur?

(Hendrik Munega refuzon të përgjigjet dhe vijon punën)

Edon Kuqi: Zoti Hendrik mund të vini 2 minuta ju lutem, për të sqaruar dhe zonjat. Kur do i marrin lekët? Keni një përgjigje?

(Pronari i fasonerisë nuk përgjigjet)

Edon Kuqi: Ne do të këmbungulim derisa të marrim një përgjigje se kur do ti marrin lekët zonjat. Mund të vini vetëm 2 minuta ju lutem? Zoti Hendrik do i marrin zonjat pagesën. Është vetëm një pyetje e thjeshtë, kur do i marrin paratë zonjat? Kur do i marrin lekët?

(Hendrik Munega, acarohet dhe del jashtë)

Hendrik Munega: Më lër rehat, mos më filmo po të them, mos më filmo. Mos më nxirr emrin dhe mos më nxirr fytyrën.

(Më pas godet mikrofonin e ZËRI-t dhe përplas derën).

Edon Kuqi: Kaq ishte, shpërthen dhe zoti Hendrik, por refuzon sërish të thojë se kur do i marrin zonjat lekët.

Ndërkohë zonjat mohuan akuzat e bëra nga pronarja e fasonerisë O.H në lidhje me dëmin ekonomik që ajo shprehej se i kishin shkaktuar gjatë gabimeve në procesin e punës.

Biseda me zonjat:

Edon Kuqi: Një nga akuzat që kishte zonja Olta ndaj jush, ishte se i kishit shkaktuar një dëm ekonomik me disa stampo. Si është situata?

Punonjësja 1: Nuk është e vërtetë unë kam qenë thjesht një punëtore. Logon e bënte Hendriku, e vendoste në makinë dhe të gjitha proceset i bënte ai, unë e vendosja në makinë dhe asgjë tjetër. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë se kam prishur qoftë dhe një qëndisje. Kur e dëgjova se ka thënë kam prishur 300 polo u habita. Ajo mua më ka marrë për së dyti, më ka thënë se je punëtore shumë e mirë, të lutem hajde, më jep dhe një shans dhe erdha. I thashë i ke rregulluar gjërat, po tha i kam rregulluar, kur erdha kisha akoma muajin e fundit që u largova, ngela dhe dy muaj brenda.

Edon Kuqi: Të njëtën akuzë e kishte për ju, por për diçka tjetër që bluzet nuk kishin dalë në standartin e duhur.

Punonjësja 2: Un nuk kam bërë fare shtrimin, ka qenë tjetër punëtore që ka bërë shtrimin. Ne jemi ndihmëse, janë vetë këta, ata që bëjnë shtrimin, ne i ndihmojmë vetëm për të hapur copat.

Punonjësja 3: Dhe për mua që tha iku në Greqi, e kam lajmëruar dy muaj para. Kur e kam takuar më tha e kam gjetur një punëtore, i ikin se nuk i paguante.

Edon Kuqi: Pasi u përballem me një reagim të dhunshëm nga zoti Hendrik do të nisemi drejt Inspektoriatit të Punës.

ZËRI kërkoi dhe njëherë nga Inspektoriati i Punës se si do të zgjidhet problemi i zonjave që kërkojnë pagat. Ndërkohë deri në publikimin e kësaj kronike, nuk kemi marrë përgjigje.

Ndërkohë pasi refuzoi përballjen live me zonjat, pronarja e fasonerisë përmes mesazheve u shpreh se ka hapur një process gjyqësor ndaj ish-punonjëseve, por nuk pranoi të vendoste në dispozicion dokumentet për këtë kallëzim. Po ashtu refuzoi të përgjigjej se kur zonjat do të merrnit paratë. Misioni i ZËRI-t vazhdon./ZËRI

Poll

MOS HUMB