Aktualitet

SKANDALI/ Punonjëset pa rroga, pronari i fasonerisë i kërcënon: S'pyes për shtetin! Nuk do i merrni

Pas një viti “betejë” me punëdhënësit, ato iu drejtuan ZËRI-t. Siç shprehen dhe vetë ato, paratë janë djersa e tyre dhe do i shkojnë deri në fund kësaj “beteje”, tashmë nuk do jenë vetëm.

Edon Kuqi
SKANDALI/ Punonjëset pa rroga, pronari i fasonerisë i
Fasoneria, gratë që bënë denoncimin dhe gazetari Edon Kuqi

TIRANË- Një tjetër rast abuzimi me pagat e punonjëseve është denoncuar këtë të enjte tek ZËRI. Katër zonja, të cilat kanë punuar prej më shumë se një viti tek fasoneria “Passion Fashion & Co”, kanë 2 muaj pa marrë pagat, ndërsa siguracionet kanë 6 muaj deri në 3 vjet që nuk u janë paguar. Ato janë shkëputur prej një viti nga puna, por pagat ende kanë mbetur pa marrë. Pas një viti “betejë” me punëdhënësit, ato iu drejtuan ZËRI-t. Siç shprehen dhe vetë ato, paratë janë djersa e tyre dhe do i shkojnë deri në fund kësaj “beteje”, tashmë nuk do jenë vetëm.

Edon KuqiPër çfarë e keni kërkuar ndihmën e ZËRI-t sot?

Zonja 1: Po kërkojmë të drejtën tonë dhe kërkojmë lekët tona. Nuk duam as më shumë as më pak. Jemi familjarë, kemi halle, kemi problemet tona. Unë kam një muaj. Unë kam qenë sëmurë, prap i kam kërkuar lekët, kjo është e gjitha. Siguracionet dilnin të deklaruar për të papaguara, si deklarim ishin. Erdha takova shefin, i thashë më duhen lekët, jam hallexhie, jam familjare, thjesht më tha ok, kaq. Donim të merreshim vesh si njerëzit, por si kanë thënë, secili thërret o nëna ime.

Zonja 2: Unë kam dy muaj, kam një vit që jam larguar nga puna, kam 3 vjet siguracione pa i paguar. I kërkon, njëherë thotë kam por nuk ti jap, njëherë thotë s’kam ku ti marr, bëj çfarë të duash. Herë dhe më kanë kërcënuar, e kam anashkaluar se them është ajo nxhehja e momentit. Vazhdojnë e tallen me ne se nuk na përgjigjen si njerëzit. Kam pasur biseda, mesazhe, nuk kam, derisa ka ardhur një pikë, ka thënë mos hajdeni më këtu tek puna se më prishni punë me punëtoret e tjera.

Edon Kuqi: Çfarë kërkoni sot?

Zonja 2: Të marrim siguracionet se na duhen në një ditë më të vështirë dhe pagën, dy muaj që i kemi pa marrë. 370 mijë lekë ishte pagesa mujore. Ankesa nuk kemi bërë se me mënyrë shoqërore kemi menduar se ua marrim me njerzillëk.

Zonja 3: Unë kam një muaj, kam dy vjet që jam larguar nga puna, kam ardhur, i kam kërkuar dhe nuk mi ka dhënë, thotë nuk kam, ndonjëherë dhe qesh e nuk kthen përgjigje hiç. Kam ardhur përherë, kur kemi pushimin atje, vijmë këtu dhe nuk na kthen përgjigje.

Pas dëgjuam rrëfimet e zonjave, pritem më shumë se një orë që një nga bashkëpronarët të vinin, por pas sinjalizimit se ekipi i ZËRI-t ishte tashmë pranë subjektit, ata u “fshehën” dhe kërcënuan përmes telefonit. ZËRI tentoi të kontaktojë njëherë me zonjën Oltjana Hoxhallari Munega, por kjo e fundit dhe pas dy thirrjeve nuk u përgjigj. Kështu telefonuam bashkëshortin e saj, Hendrik Munega, ky i fundit u përgjigj me një arrogancë, ndërsa kërcënoi zonjat se nuk do ti merrnin paratë. Por ku e merr këtë forcë?

Edon Kuqi: Alo, mirëmëngjesi, si jeni zoti Munega, jam Edon Kuqi, gazetar nga ZËRI.

Hendrik Munega: Po, kush jeni ju dhe njëherë?

Edon Kuqi: Edon Kuqi, gazetar nga ZËRI. Jam këtu së bashku me katër ish-punonjëset tuaja, të cilat kanë pa marrë pagat prej një viti dhe prej dy vitesh një prej tyre, së bashku me siguracione. Ku ndodheni ju? Që të kemi një takim përballë dhe një ballafaqim me zonjat.

Hendrik Munega: Nuk kemi nevojë, nuk na duhen. Nuk kam nevojë të ballafaqohem as me ty as me punëtoret, punëtoret e dinë si ka qenë situata. Jo ju gazetarët, por dhe Edi Rama të vijë nuk më intereson. Mua nuk më prish punë asgjë, më kupton. Nuk kam nevojë të takohem, zero.

Edon Kuqi: Po pagesat?

Hendrik Munega: Bisedoni me punëtoret, ato e dinë shumë mirë për çfarë arsyesh nuk paguhen dhe për çfarë arsyesh janë larguar.

Edon Kuqi: Mund të na thoni dhe neve meqë nuk vini fizikisht?

Hendrik Munega: Je askushi të më kërkosh llogari, nuk të njoh dhe nuk më njeh, je gazetar, bëje punën, të uroj gjithë të mirat për punën tënde, por unë ty nuk kam asgjë për të thënë.

Edon Kuqi: Po zonjave, që kanë pagën për të marrë?

Hendrik Munega e mbyll telefonin.

ZËRI iu drejtua me një shkresë zyrtare Inspektoriatit të Punës dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ndërsa do tentojë sërish të ketë një ballafaqim mes zonjave dhe bashkëpronarëve, të cilët këtë herë iu shmangën ballafaqimit dhe kërcënuan përmes telefonit./ZËRI

Poll

MOS HUMB