
BRITANI E MADHE- Ndryshe nga sa kemi dëgjuar për gjyqet e shqiptarëve në Britaninë e Madhe këtë herë ka ndodhur një rast i kundërt. Një shqiptar në Britaninë e Madhe ka vendosur të çojë në gjyq ish-punëdhënësin e tij, duke pretenduar se e kanë larguar pa të drejtë dhe janë treguar racistë.
Baba i dy fëmijëve, 48-vjeçari Edi Veizi punonte si oficer për akomodimin dhe zhvillimin në Këshillin Bashkiak të qytetit Glasgow në Skoci. Në gjykatë, Veizi, i cili ka nënshtetësi britanike, tha se do të kërkojë që të pastrojë emrin e tij, dhe akuzat që ish kolegët i bënë për vjedhjen e disa pajisjeve.
Ai paraqiti disa e-maile ku kolegët i referoheshin si “shqiptari” apo “njeriu i mafias” duke e akuzuar edhe se kishte vjedhur disa pajisje elektroshtëpiake. Megjithatë, në gjykatë nuk u paraqit asnjë provë, madje dhe nga verifikimi në banesën e tij, nuk rezultoi që Veizi të kishte ndonjë prej pajisjeve të vjedhura.
Avokatja e tij mbrojtëse paraqiti në Gjykatë një dokument që tregonte se elektroshtëpiaket ishin vjedhur nga një tjetër departament, e megjithëse Këshilli ishte në dijeni, nuk e publikoi këtë fakt për të fajësuar Veizin, raporton voxnews.al.
Ai gjithashtu tha se ndaj tij kishte patur abuzim racor, duke e quajtur si “njeriu i mafias” për shkak se ishte mik me shqiptarin Sokol Sefaj. Ky i fundit ishte i dashuri i britanikes Lynda Spence, e cila u torturua dhe u vra, ndërsa Sefaj vdiq pak kohë më pas për shkaqe natyrale. Veizi e pranoi miqësinë me të, por tha se i ndjeri ishte një njeri normal, për sa kohë nuk ishte dënuar. 48-vjeçari shqiptar kishte punuar në Këshill nga viti 2001 deri në vitin 2019.