
ITALI- Mediat italiane kanë publikuar detaje të reja mbi vrasjen e 35-vjeçares shqiptare Klodiana Vefa, e cila u vra me plumb në kokë mbrëmjen e djeshme, në zonën e Firences, ndërsa si autor dyshohet ish-bashkëshorti i saj, Alfred Vefa, me të cilin kishte dy fëmijë 15 dhe 17 vjeç.
Prej kohësh mes çiftit kishte pasur probleme që më pas kishin çuar në ndarje, por ligjërisht ata ishin ende të martuar, dhe sipas mikeshave të Klodianës ajo në shumë raste kishte qenë viktimë e dhunës. Burri, që tashmë po kërkohet nga policia italiane përshkruhet si mjaft abuziv dhe i dhunshëm, ndërkohë që fryma konfliktuale që çifti ka pasur është reflektuar dhe nga Klodiana në disa postime që ka bërë në rrjetet sociale, ku duhet thënë se ka qenë shumë aktive, duke ndarë foto dhe me fëmijët e saj adoleshentë.
“Nëse një burrë pret që një grua të jetë një engjëll në jetën e tij, ai së pari duhet të krijojë parajsën për të. Sepse engjëjt nuk jetojnë në ferr”, ka shkruar Klodiana në një nga postimet në rrjetet sociale, ndërkohë që diku tjetër shprehej se bukuria dhe brishtësia e saj tani kërcejnë bashkë me forcën. Sipas mediave italiane edhe pse ishin ndarë, i dyshuari ende flinte ndonjëherë në shtëpinë e tyre.
"Dashuria të çon gjithmonë pak në befasi: ka nga ata që e jetojnë atë me pasion dhe gjithë forcën që janë të aftë". Dhe përsëri: “Nuk ka racë, asnjë fe, asnjë klasë shoqërore, asnjë ngjyrë, asnjë orientim seksual që të bën më të mirë se dikush tjetër. Të gjithë jemi të denjë për dashuri”, shkruan më tej ajo.
Shumë pranë fëmijëve të saj, të cilët shfaqen shpesh në foto, Klodiana publikon foto në të cilat i përqafon. “Shpresoj të të shoh gjithmonë kaq të lumtur. Nëna është gjithmonë nënë”, lexojmë në një nga këto foto ku portretizohet vajza e saj në festën e ditëlindjes. Edhe në këtë rast Klodiana përqafon vajzën e saj. E bën edhe kur janë me pushime bashkë. Ajo përkufizon si “pasuria ime”.
Një shoqe e Klodiana Vefës që u vra nga bashkëshorti, Alfred Vefa e ka përshkruar vrasësin si një njeri të dhunshëm duke u shprehur se: Ai ushtronte dhunë të fortë fizike dhe psikologjike. Ajo ishte gjithmonë me humor dhe buzëqesur, por ndryshoi plotësisht pas problemeve që i shkaktonte bashkëshorti. Ai njeri ishte vërtet i frikshëm, por Klodiana nuk e denoncoi kurrë atë dhe kjo zgjati për një kohë të gjatë. Nuk e di pse pranoi ta takonte, këtë nuk duhet ta bënte kurrë. Ai kishte filluar një jetë të re, kishte një grua tjetër. Nuk e kuptoj se çfarë e shtyu ta bënte këtë krim, ishte një ekzekutim. Ata fëmijë mbetën vetëm, si do të mbijetojnë nga kjo traumë.
Në Itali prej 17 vitesh, 35-vjeçarja punonte si kamariere në një restorant të zonës. Mbrëmjen e djeshme, Alfredi mësohet se kishte shkuar në shtëpinë e gruas dhe mes palëve kishte shpërthyer një zënkë. Më pas Klodiana kishte dalë nga shtëpia. Pikërisht në trotuar, pak metra më tutje u vra me 3 plumba pistolete, një prej të cilëve i mori jetën.
-
Vritet me plumb në kokë shqiptarja në Itali, zhduket i shoqi
29 Shtator, 08:22
Ata që e gjetën trupin e pajetë të Klodianës në mes të rrugës ishin pikërisht fëmijët, që dolën bashkë me familjarë të tjerë të viktimës, pasi dëgjuan të shtënat. Përveç gëzhojave, në vendngjarje nuk është gjetur as arma e krimit, që besohet se vrasësi e mori me vete teksa u largua me makinë. Mësohet se autoritetet po analizojnë kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim kapjen e tij./Zëri.ai