
TIRANË- Shaban Murseli, babai i Naim Murselit, thotë se nuk ka qenë në dijeni se autori i vrasjes kishte qenë djali i tij. Murseli tregon se në sytë e familjes nuk kishte një çift më të dashuruar se Naimi dhe Liridona.
Madje Shaban Murseli tregon se në shtëpi me humor e thërrisnin djalin e tij me emrin e gruas ‘Lili, Lili’.
Shaban Murseli tregon se Liridona në Suedi kishte hapur një kompani pastrimi, e mbështetur fillimisht financiarisht nga djali i tij.
“Unë edhe pas varrimit që u kthyem në shtëpi, nuk kisha asnjë indikacion që djali ishte i dyshuar. Unë sot e 100 vite, unë jam me familjen Ademaj, Liridonën e kam në zemër. Unë i shpreh ngushëllimet të gjithë kombit shqiptar për këtë vrasje, miqve të Liridonës. Në sytë e familjes sonë, nuk ekzistonte një çift që të kishte dashuri më të madhe se ata, këtë mund që ta pohojë dhe vetë familja Ademaj.
Liridona në Suedi, ka qenë e detyruar që të kryente disa shkolla, fillimisht për gjuhën dhe më pas për profesionin. U punësua në një kompani që kujdesej për të moshuarit, kishte dëshirë që të hapte një kompani të vetën, dhe kishte hapur një kompani të pastrimit.
Ishte Naimi që investoi fillimisht për kompaninë, bënte dy punë në restorant dhe në kompaninë e pastrimit ku ishte pronare. Pjesa e kërkesës së divorcit nuk është fare e vërtetë, Naimi ishte shpërngulur në Gjermani për një kohë, dhe aty kishte shkuar dhe Liridona, por u kthye sërish në Suedi. Dhe kjo ka qënë marrë si divorc. Pyetja se pse është bërë vrasja, është pyetje 1 milion dollarëshe, Naimi ka qenë shumë i përkushtuar ndaj Liridonës.
I printe biletën të vëllait, që të vinte t’i ndërronte gomat Liridonës në Suedi. Aq i dhënë ka qënë pas Liridonës, sa ne në shtëpi i thërrisnim Lili, Lili”, tha Shaban Murseli në emisionin “Me Zemër të Hapur”.
Shaban Murseli u shpreh i keqardhur me deklarimet e Behgjet Pacollit dhe njerëzve pranë tij, se Naimi nuk kishte punuar si këshilltar.
Të ndalojmë pak te politika…Nxitoi që të thoshte, djali juaj nuk ka qenë ndonjëherë këshilltar i Pacollit…
Murseli: Ai ka qenë në takime të rëndësishme. Ka qenë këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme. Këtë mund ta vërtetoni nga faqja e ministrisë, se them unë!
Flitet që këtë detyrë e ka bërë pa pagesë…
Murseli: Këshilltarët e ministrisë së Punës së Jashtme nuk paguhen nga buxheti i qeverisë së Kosovës. Por nga fondet. Nuk e di se ka një punë që bëhet falas.
Si është njohur Behgjet Pacolli që dhe u bë kumbar i dy djemve
Murseli: Falë aftësive të Naimit. Ai ishte djalë shumë inteligjent, për IT. Djali më inteligjent që ekziston. Ka mbaruar disa shkolla.
/Zëri