
FIER- Një vogëlushe vetëm 3-vjeç ka mbetur e bllokuar në banesën e saj paraditen e sotme. Por të qarat e saj kanë alarmuar të gjithë pallatin. Kështu që për të nxjerrë të voglën nga banesa në katin e pestë, në lagjen “29 Nëntori” në Fier, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve.
Sipas informacioneve paraprake mësohet se e mitura ishte lënë vetëm nga prindërit në banesë. Pasi e kishte kuptuar që ishte vetëm kishte nisur që të qante, duke shqetësuar edhe fqinjët për gjendjen e saj shëndetësore. Ndaj edhe në pamundësi për të kontaktuar me prindërit e të miturës, kërkuan ndihmë nga forcat e zjarrfikësve. Ata bënë të mundur zhbllokimin e derës, duke hyrë nga dritarja e apartamentit.
Fatmirësisht vogëlushja është në gjendje të mirë shëndetësore, madje dhe ka pozuar me një prej zjarrfikësve që e gjeti në banesë. Por ende nuk dihet se ku janë prindërit e saj dhe përse e kishin lënë vetëm. Me shumë gjasa ndaj tyre do të merren masa./ZËRI