TIRANË- GJKKO do të japë sot në orën 12:00 masën e sigurisë për ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën "arrest shtëpie" nga SPAK. Gjithashtu, po sot në orën 09:00, pritet të dalin para gjykatës edhe Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, të dy persona nën hetim dhe nën masën "arrest me burg".
Hyseni akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Hyseni dyshohet se ka nxjerrë nformacione sekrete të shtetit duke ndihmuar në arrati Ergys Agasin, i akuzuar dhe i arrestuar në kuadër të hetimeve për AKSHI-n.
Drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, ka pranuar komunkimet me biznesmenin Ergys Agasin, në cilësinë e bashkëpunëtorit, por ka mohuar çdo mundësi takimi fizik me të. Hyseni ka deklaruar në SPAK, vetëm 5 ditë para se ndaj saj të komunikohej masa e sigurisë se, me Agasin ka komunikuar, por duket shtuar se SHISH punon gjithmonë me bashkëpunëtorë. Ndërkohë, në mesazhet e zbardhura dhe komunkimet mes tyre, të siguruara nga ZËRI, rezulton se mes shefes së SHISH dhe biznesmenit, mund të ketë një marrëshënie tjetër, personale, përtej asaj që pretendon Hyseni. Hyseni dyshohet se është përfshirë në çështjen penale që lidhet me Ergys Agasin, madje ka shfaqur gatishmëri për ta ndihmuar Agasin, duke vënë në dispozicion edhe funksionin e saj zyrtar dhe kapacitetet institucionale që drejtonte.
Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Mbi 500 komunikime mes tyre, që nga qershori dhe deri në momentin e arrestimit të Agasit, sipas SPAK, nënvizohet në materialet hetimore që ZËRI disponon, nuk kemi të bëjmë më një 'bashkëpunëtor'. Hyseni e informonte Agasin për çdo zhvillim politik dhe jo vetëm, dhe në kohë reale. Sipas SPAK, Agasi është personi që merr dhe dikton informacionin, ndërsa drejtuesja e SHISH nuk kishte vënë në dijeni instancat paralele apo edhe brenda institucionit./ZËRI