TIRANË- Qindra komunikime, mesazhe dhe telefonata mes Ergys Agasit dhe ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hysenit, janë zbuluar, duke nxjerrë në pah kontaktet e vazhdueshme mes tyre dhe duke ngritur pikëpyetje mbi natyrën e marrëdhënies mes tyre.
Detaje të tjera pritet të dalin në vijim, ndërsa gazetari Elvi Fundo zbuloi mbrëmjen e djeshme në “Opinion” se komunikimet e zbardhura nga telefoni i Agasit përfshijnë edhe biseda që lidhen me kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliajn.
Sipas Fundos, Agasi dhe Vlora Hyseni kanë shkëmbyer mesazhe lidhur me çështjen e Veliajt. Gjithashtu, gazetari pretendoi se Hyseni ka ndërhyrë në emër të Agasit dhe Veliajt për zgjedhjen e Naureda Llagamit si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.
“Këto janë në kuadër të fjalëve, por di se ka komunikime me Erion Veliajn, Ergys Agasi. Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni kanë çuar mesazhe për çështjen e Erion Veliajt. Është kryetarja e SHISH e cila ka ndërhyrë në emër të Agasit dhe Veliajt për zgjedhjen e gjyqtares së Kushtetueses, Naureda Llagamit. Naureda Llagami është një ish-punonjëse e Ajola Xoxës. Nuk është vetëm Ergys Agasi që ka një lidhje me zonjën e SHISH”, tha gazetari Fundo.
Drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, ka pranuar komunkimet me biznesmenin Ergys Agasin, në cilësinë e bashkëpunëtorit, por ka mohuar çdo mundësi takimi fizik me të. Hyseni ka deklaruar në SPAK, vetëm 5 ditë para se ndaj saj të komunikohej masa e sigurisë se, me Agasin ka komunikuar, por duket shtuar se SHISH punon gjithmonë me bashkëpunëtorë. Ndërkohë, në mesazhet e zbardhura dhe komunkimet mes tyre, të siguruara nga ZËRI, rezulton se mes shefes së SHISH dhe biznesmenit, mund të ketë një marrëshënie tjetër, personale, përtej asaj që pretendon Hyseni. Hyseni dyshohet se është përfshirë në çështjen penale që lidhet me Ergys Agasin, madje ka shfaqur gatishmëri për ta ndihmuar Agasin, duke vënë në dispozicion edhe funksionin e saj zyrtar dhe kapacitetet institucionale që drejtonte.
Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Mbi 500 komunikime mes tyre, që nga qershori dhe deri në momentin e arrestimit të Agasit, sipas SPAK, nënvizohet në materialet hetimore që ZËRI disponon, nuk kemi të bëjmë më një 'bashkëpunëtor'. Hyseni e informonte Agasin për çdo zhvillim politik dhe jo vetëm, dhe në kohë reale. Sipas SPAK, Agasi është personi që merr dhe dikton informacionin, ndërsa drejtuesja e SHISH nuk kishte vënë në dijeni instancat paralele apo edhe brenda institucionit./ZËRI