
TIRANË- Publikimi dhe shpërndarja në rrjetet sociale e materialeve intime që pretendohet se u përkasin personave publikë ka sjellë reagimin e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Përmes një reagimi, Komisioneri Besnik Dervishi u ka bërë thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të internetit që të ndalojnë publikimin dhe rishpërndarjen e këtyre materialeve, duke theksuar se mbrojtja e jetës private vlen edhe për personat me ekspozim publik.
Sipas Zyrës së Komisionerit, interesi apo kurioziteti i publikut për jetën intime të një personi nuk përbën automatikisht interes publik dhe nuk mund të përdoret si justifikim për publikimin e përmbajtjeve të tilla.
Në reagim theksohet gjithashtu se një material i publikuar më herët në internet nuk fiton për këtë arsye statusin e një përmbajtjeje që mund të ripublikohet apo shpërndahet ligjërisht. Komisioneri paralajmëron se përpunimi i paligjshëm i të dhënave personale mund të sjellë masa administrative dhe penale.
Zyra kërkon gjithashtu që përmbajtjet intime të publikuara në kundërshtim me ligjin të hiqen dhe të ndërpritet qarkullimi i tyre në platformat online.
“Në vijim të publikimeve të fundit në media dhe rrjete sociale për materiale të pretenduara intime, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u bën thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të respektojnë jetën private dhe dinjitetin e çdo individi.
Ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ndalon përpunimin e këtyre përmbajtjeve. Gjithashtu, publikimi dhe shpërndarja e tyre është e ndaluar.
Të qënit figurë publike nuk përbën heqje dorë nga e drejta për jetë private. Kurioziteti për jetën intime të një individi nuk mjafton për të justifikuar publikimin e saj si çështje me interes publik. Liria e shprehjes dhe e informimit duhet të ushtrohet duke respektuar kushtet e nenit 43 të ligjit, përfshirë domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e thelbit të të drejtave themelore.
Fakti që një material qarkullon në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin e tij. Çdo rishpërndarje mund të shtojë ekspozimin dhe dëmin ndaj personave të prekur dhe familjeve të tyre.
Çdokush që përpunon në mënyrë të paligjshme të dhëna personale është subjekt i masave administrative dhe penale.
Zyra e Komisionerit bën thirrje të ndërpritet publikimi dhe rishpërndarja e materialeve intime në kundërshtim me ligjin dhe të hiqen përmbajtjet e publikuara në mënyrë të paligjshme”, shkruan Zyra e Komisionerit./ZËRI