TIRANË- Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në aksin Shkodër-Lezhë në zonën e Kryebushatit.
Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa për pasojë ka humbur jetën një 83-vjeçar Gjon Nikaj banues në Shkodër.
I moshuari u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmë mjekësore, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga përplasja.
Në aksident është përfshirë edhe një 67-vjeçar me shtetësi franceze me inicialet P. L. i cili është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 30.09.2026, rreth orës 15:30, në aksin rrugor “Shkodër-Lezhë”, në vendin e quajtur Kryebushat, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete, me drejtues shtetasit P. L., 67 vjeç, shtetas francez, dhe Gj. N., 83 vjeç, banues në Shkodër.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi Gj. N., ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.
Shtetasi P. L. është shoqëruar në ambientet e DVP Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë dhe dokumentimin e rrethanave të aksidentit./ZËRI