TIRANË- Një mori detajesh dhe informacionesh që dyshohet se kanë çuar hetimet deri te institucionet më të larta të shtetit, janë zbuluar nga telefoni i biznesmenit Ergys Agasi. Pas arrestimit të këtij të fundit në muajin gusht, iu gjet dhe sekustruar një aparat telefonik “iPhone 17”.
Sipas gazetarit Elton Qyno, telefoni që i është kapur Agasit, nuk ishte i pajisur me asnjë kod sigurie dhe për rrjedhojë ka shërbyer si një 'magazinë' informacioni për SPAK. Ndërsa mësohet se dy telefonat e tjerë “Iphone 17” të kapur personit tjetër në makinë, Uljan Shpatarakut, kanë qenë të pajisur me kode sigurie dhe ende nuk janë hapur nga ana e ekspertëve kibernetikë të prokurorisë së posaçme.
Por, me sa duket telefoni i Agasit ka pasur mjaftueshëm informacion, pasi brenda një kohe të shkurtër, SPAK caktuan masën e arrestit për ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, dhe dy personave të tjerë përgjegjës sektori në policinë Shkencore, Fatjon Kalluçit si dhe menaxherit të lokalit “Kodra e Kuajve”, Embro Sulejmani.
Burime për gazetarin bëjnë me dije se në telefonin e Agasit nuk janë gjetur vetëm biseda me drejtoren e SHISH, Vlora Hyseni. Bëhet fjalë për dhjetëra biseda me personazhe mjaft të njohur të botës së krimit që janë shpallur në kërkim nga SPAK, në Fier, Vlorë, Durrës, Elbasan, Tiranë, Fushë-Krujë. Gjithashtu, në telefonin e Agasit kanë rezultuar edhe biseda për Drejtorë Policie, dhe për prokurorë të SPAK, të cilat ishin ruajtur qëllimisht, por për arsye ende të paqarta.
Në një prej bisedave, Agasi shprehet se “…ata janë çunat e tij dhe nën kontrollin e tij…”, referuar çunave që në Shqipëri konsiderohen si “Bad Boys” dhe që drejtojnë grupe kriminale.
Por, ky "iPhone17" nuk rezulton të jetë i vetmi aparat celular që i është sekuestruar biznesmenit. Oficerët e Policisë dhe Byroksë Kombëtare kanë gjetur edhe 3 aparate të tjera gjatë kontrolleve në banesën e Agasit. Këqyrja e këtyre 4 aparatave celularë pritet të zbulojnë detaje dhe emra të tjere, teksa deri më tani numri i personave nën hetim është rritur, duke filluar nga Ergys Agasi, Daniel Shima, Ermal Beqiri, Vlora Hyseni, Mirlinda Karçanaj, Gëzim Hoxha, Andis Papa, Elison Jorxhi, Hava Delibashi, Emirton Suli, Embro Sulejmani, Fatjon Kalluçi etj.
Aktualisht, Vlora Hyseni ndodhet nën masën "arrest shtëpie" për akuzat “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Sipas SPAK, Hyseni dyshohet se ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi, teksa ai ndodhej në kërkim, duke i përcjellë informacione të klasifikuara shtetërore.
Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda./ZËRI