MIRDITË- Një efektiv i Forcave të Armatosura është plagosur gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit në zonën e Mirditës. I plagosuri është identifikuar si Andrea Kaçi, 28 vjeç, i cili dyshohet se është rrëzuar nga një shkëmb teksa ishte duke ndërhyrë për neutralizimin e flakëve.
Si pasojë e rënies, efektivi ka marrë dëmtime në kokë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore. Mësohet se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën dhe mjekët po vijojnë kontrollet për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve.
Në Spitalin e Traumës ka shkuar edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, për të vizituar efektivin e plagosur. Forcat e Armatosura janë të angazhuara prej orësh në terren në kuadër të operacioneve për përballimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në Mirditë./ZËRI