
TIRANË- Kur kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga zjarri i rënë në urgjencën e QSUT-së, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar një riekspertim të shkaqeve të ngjarjes. Ekspertiza e dytë, e cila është kërkuar nga organi i akuzës, bëhet për të parë, kushtet në të cilat është bërë rikonstruksioni i godinës, e cila do të inagurohej vetëm disa muaj përpara rënies së zjarrit në 11 Shkurt të këtiij viti. Prokuroria ka kërkuar gjithashtu marrjen në pyetje të një numri të madh personash, kryesisht teknikë, për të çuar në zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Më herët Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dosjen e tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me rikonstruksionin e urgjencës së QSUT. Paralelisht me këtë, QSUT ka hapur një tjetër tender, me vlerë rreth 30 milionë lekë të rinj, në mënyrë që të bëhet riparimi i dëmeve nga zjarri, dhe të kthehet në punë urgjenca. Sipas ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu, urgjenca do të rikthehet në normalitet brenda muajit Maj.
Edhe pse prokuroria ende nuk është shprehur për shkaqet e zjarrit, vetë ministrja, teksa raportonte në Komisionin e Shëndetësisë, arriti në përfundimin se flakët ishin shkaktuar nga djegia e kabujve. E pyetur nëse QSUT kishte referuar persona përgjegjës për zjarrin në godinën e saporikonstruktuar, Koçiu nuk mundi të jepte dot një përgjigje.
Zjarri një urgjencën e QSUT ra në datën 11 shkurt duke shkaktuar kolaps në repartin e urgjencave dhe detyruar pacientët të merrnin trajtim mjekësor në spitale të tjera. Të gjithë personat, që kanë urgjenca kardiake, apo të sëmundjeve të brendshme, janë referuar në spitalin e Traumës, spitalin Shefqet Ndroqi, por edhe spitalet rajonale të Shkodrës, Lezhës dhe Fierit.
/ZËRI