
TIRANË- Zjarr në urgjencën e re të QSUT, të sëmurët transportohen në spitalin e Sanatoriumit me autoambulanca. Burime bëjnë me dije për Zërin se vatra e zjarrit është përhapur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Mësohet se zjarri fillimisht ka nisur në zonën e bodrumit dhe më pas tymi është përhapur në të gjithë pavionin, duke rrezikuar asfiksimin e pacientëve. Ekipet e zjarrfikësve bënë të mundur neutralizimin e flakëve, dhe evakuuimin e pacientëve dhe personelit. Grupi hetimor po punon për zbulimin e shkaqeve të zjarrit.
Njoftimi i policisë së Tiranës:
Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re.
Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë që një reagim për mediat e ka bërë edhe vetë QSUT, ku thotë se janë marrë të gjitha masat për sigurimin e jetës dhe shëndetit të pacientëve.
Reagim për Media nga QSUNT:
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym.
Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen.
Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë anagazhimit të personelit mjekesor dhe atij zjarrefikës.
Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë.

/ZËRI