Aktualitet

Mikrokreditë/ “Kërko ndihmë nga ChatGPT”, Dhoma e Përmbarimit ironizon Sejkon: Ke dy javë që përsërit të njëjtën broçkull

Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat ka analizuar pikë për pikë fjalimin e Gent Sejkos dje në Kuvend.

k.m.
Mikrokreditë/ “Kërko ndihmë nga ChatGPT”, Dhoma e
Gent Sejko dje tek "Ekonomia"

TIRANË- Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat ka reaguar në lidhje me fjalimin që mbajti dje në Kuvend, guvernatori i Shqipërisë, Gent Sejko gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë. Pas deklaratës së Sejkos në Komisionin e Ligjeve, Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat ka analizuar pikë për pikë, të gjitha deklaratat e tij. Së pari, theksojnë se Kadastra nuk merr urdhra për të mos ekzekutuar vendime prej Guvernatorit. Po ashtu, sqarojnë se Ministrinë e Drejtësisë nuk mund të përcaktojë një likuidator për kompanitë "MCA" dhe "Final" pasi kjo ishte një kompetencë që i takon vetëm Bankës së Shqipërisë dhe asnjë institucioni tjetër. Gjithashtu THEKSOJNË se në Shqipëri nuk ka një ligj për procedurat përmbarimore, ndaj Sejko nuk ka çfarë masash të marrë që të ndryshojë në bashkëpunim me shtetin dhe qeverinë. Ndryshimi i vetëm për "DHKPP" bëhet vetëm me një Kod të Ri. Në fund të sqarimit, Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat i bën thirrje Sejkos për reflektim, duke mos i kursyer dozat e ironisë ndaj tij. 

"Asnjë lëvizje ligjore nuk mund të bëjë Banka e Shqipërisë në këtë situatë “pandemie mikrofinanciare”, përveç se të presë thirrjet që do vijnë nga Institucionet që bëjnë drejtësi. Si mundet një Guvernator, të përsërisë për dy javë resht të njëjtën broçkull për ndryshimin e “Ligjit për proceduarat përmbarimore”?! Si nuk ka njeri t’i thotë “Mjaft... se nuk ekziston një ligj i tillë!” - Se Shqipëria ka një Kod për Procedurat Civile, ku në 107 nenet nga fundi i tij, janë edhe dispozitat për ekzekutimin e detyruar apo procedurat përmbarimore. Do “sharrojmë” Kodin e Procedurës Civile dhe do bëjmë një ligj të ri? Apo do “ngulim” ligjin e ri në pjesën e fundit të Kodit të Procedurës Civile?! Të dyja janë të pamundura. Duhet një Kod i ri. Por ky nuk mund të bëhet kaq thjesht si të ishte rregullore e BSH-së... Pasi ta sqaroni dhe qartësoni, ju lutemi bindeni të gjejë një alibi tjetër pa “përmbarim”. Le të kërkojë ndihmë nga ChatGPT, për një alibi digjitale. Nëse nuk e gjen as aty, le të hiqet si Gaztor sa të harrohet se ishte Guvernator. Ps. Guvernator, je që je, meqë bën ndalim “tjetërsimesh” në kadastër, futi dhe nja 20 000 heqje sekuestrosh llogarish nëpër bankat e nivelit të dytë, meqënëse i ke brenda perimetrit të mbikëqyrjes. Bëhu Guvernator Digjital! Do të të bekojnë qytetarët. Ndërsa, ne për herë të parë do mbyllim gojën për këtë “padrejtësi”!,"-shkruhet ndër të tjera në postimin e tyre. 

REAGIMI I DHOMËS SË PËRMBARUESËVE:

Guvernatori Digjital

Në shëtitjen e radhës, sot, para Komisionit të Ekonomisë, Guvernatori i Bankës Qëndrore, Gent Sejko lidhur me kryepyetjen se si do të procedohet me dy rastet e mashtrimit “Final” dhe “Micro Credit Albania”, shpalosi komplet talentin e tij: 1. I kemi çuar një njoftim Kadastrës që të mos kryejnë tjetërsime pronash, për ta ditur këtë revokim liçense. 2. Do komunikoj me Ministrinë e Drejtësisë, për të përcaktuar një likuidator për secilën kompani. 3. Po bëjmë definimet ligjore, pasi është hera e parë që bëhet fjalë për një gjë të tillë. 4. Problematika do të ketë, sidomos për ato raste që janë në përmbarim, pasi përmbaruesi del me lloj lloj teorish. 5. Ato raste që janë dhënë vendim gjykatash dhe kanë kaluar në përmbarim, kjo krijon problematikë dhe duhet të jemi të qartë për këtë gjë. 6. Por nga ana ligjore do të shohim se çfarë mund të bëjmë. 7. Kjo është një punë do të të marrë kohë. 8. Por kërkoj që të ecim shpejt me miratimin e ligjeve, pasi rregulloret ne i bëjmë vetë, si ligji për proceduarat përmbarimore, ligji për tavanin e normës së interesit, për penalltinë. Dikush nga Këshilli Mbikëqyrës, Qeveria apo Kuvendi duhet ta përmbajë, ta ndihmojë, ta frenojë Guvernatorin tonë. Kaq shumë broçkulla në një ditë, lehtësojnë edhe një godinë të rëndë si është Banka Qendrore. Dikush duhet t'i thotë: 1. Kadastra bashkë me “Kullën” digjitale, nuk marrin urdhra/njoftime për mosekzekutime prej Guvernatorit, por vetëm nga subjektet që njeh ligji nr. 111/2018 “Për kadastrën”. Nëse janë kryer tjetërsime pronash, sekuestrime pronash, çsekuestrime (pas mashtrimit) pronash – dhe janë kryer shumë nga “përmbarimi mikrofinanciar”, të gjithë do mbajnë përgjegjësi para Ligjit. Hesht dhe shih inventarizimin e dëmit! 2. Ligji nr. 9662/2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", parashikon rrethanat për vendosjen e likuidimit të detyruar të bankës ose degës së bankës së huaj nga Banka e Shqipërisë, kur revokohet licenca për kryerjen e veprimtarive bankare dhe financiare. Caktohet edhe likuidatori nga BSH, por në asnjë rast ky ligj nuk parashikon institucionet financiare jobanka. Si mund të “përcaktojë” Ministria e Drejtësisë një likuidator, për MCA dhe Final?! 3. Definimet ligjore, për 8 vite janë parashikuar me rregullore. Tani është shumë vonë të kthehet “koka” nga ligji. 4. Përmbarues me lloj lloj teorish si “përmbarues” Shalsi, Braçe etj., mund të gjenden në komision të ekonomisë, apo gjetkë, por jo tek Dhoma Kombëtare. Asnjë prej tyre nuk njeh teori përveç asaj që parashtron Kodi i Procedurës Civile. Ndonjë përjashtim të veçantë mund të bëjnë 4-5 përmbaruesit “digjitalë” që shumë herët do vendosen para përgjegjësisë ligjore si shokët e tyre bankierë. 5. Urdhri i Ekzekutimit, si vendim gjykate që rrjedh nga një titull ekzekutiv/kontratë kredie që ka mashtruar Ligjin dhe Qytetarin, nuk mund të vihet në ekzekutim nga asnjë përmbarues gjyqësor pa u përcaktuar në fillim ligjshmëria e tij, që do dalë nga hetimi penal. Nuk ka asnjë konkurrencë për ekzekutimin e kontratave mashtruese të MCA dhe Final. Të gjitha janë produkt i veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Nuk ka më përmbarues “digjital” të merret me to. U fikën bashkë me MCA & Final. 6. Asnjë lëvizje ligjore nuk mund të bëjë Banka e Shqipërisë në këtë situatë “pandemie mikrofinanciare”, përveç se të presë thirrjet që do vijnë nga Institucionet që bëjnë drejtësi. 7. Kohë do marrë vetëm hetimi një e nga një i të gjitha kontratave mashtruese, sekuestrimeve mashtruese, tjetërsimeve mashtruese, pyetja e të gjithë të mashtruarve – viktima të kësaj maskarade financiare. 8. Si mundet një Guvernator, të përsërisë për dy javë resht të njëjtën broçkull për ndryshimin e “Ligjit për proceduarat përmbarimore”?! Si nuk ka njeri t’i thotë “Mjaft... se nuk ekziston një ligj i tillë!” - Se Shqipëria ka një Kod për Procedurat Civile, ku në 107 nenet nga fundi i tij, janë edhe dispozitat për ekzekutimin e detyruar apo procedurat përmbarimore. Do “sharrojmë” Kodin e Procedurës Civile dhe do bëjmë një ligj të ri? Apo do “ngulim” ligjin e ri në pjesën e fundit të Kodit të Procedurës Civile?! Të dyja janë të pamundura. Duhet një Kod i ri. Por ky nuk mund të bëhet kaq thjesht si të ishte rregullore e BSH-së... Pasi ta sqaroni dhe qartësoni, ju lutemi bindeni të gjejë një alibi tjetër pa “përmbarim”. Le të kërkojë ndihmë nga ChatGPT, për një alibi digjitale. Nëse nuk e gjen as aty, le të hiqet si Gaztor sa të harrohet se ishte Guvernator. Ps. Guvernator, je që je, meqë bën ndalim “tjetërsimesh” në kadastër, futi dhe nja 20 000 heqje sekuestrosh llogarish nëpër bankat e nivelit të dytë, meqënëse i ke brenda perimetrit të mbikëqyrjes. Bëhu Guvernator Digjital! Do të të bekojnë qytetarët. Ndërsa, ne për herë të parë do mbyllim gojën për këtë “padrejtësi”!

"Micro Credit Albania" dhe "Final" tashmë nuk mund të operojnë më në Shqipëri. Pas një kalvari të gjatë denoncimesh nga ZËRI, Banka e Shqipërisë vendosi që t'u hiqte licencën, pasi akuzohen se kanë zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra si dhe u kanë bllokuar pronat e luajtshme apo të paluajtshme shumë qytetarëve që kanë pasur detyrime të pashlyera. Aktualisht në zyrat e "Micro Credit Albania" dhe "Final" janë nën kontrollin e punonjësve të Bankës së Shqipërisë.

Skema që zbërtheu prokuroria:

Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Skandali me mikrokreditë:

Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI

Poll

MOS HUMB