Aktualitet

Ç'do ndodhë me MCA dhe Final? Sejko: Po marrim ankesat, zgjidhje kemi gjetur vetëm për kreditë e këqija

Gent Sejko zbuloi se kanë gjetur një zgjidhje vetëm për kreditë jo-performuese (kreditë e këqija) që nga bankat e nivelit të dytë u janë shitur institucioneve të mikrokredive.

k.m.
Ç'do ndodhë me MCA dhe Final? Sejko: Po marrim ankesat,
Gent Sejko

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka folur sërish për mikrokreditë në Kuvendin e Shqipërisë. Teksa prezantonte raportin për vitin 2023, u pyet lidhur me dy kompanitë, të cilave pak ditë më parë iu hoqën licensat nga ana e BSH-së. Në fjalën e tij në Kryesinë e Kuvendit, Sejko tha se pas revokimit të licensës ndaj "Final" dhe "MCA", Banka ka ngritur një grup pune për të shqyrtuar dosjet dhe për të marrë ankesat e qytetarëve.

Megjithatë një zgjidhje përfundimtare për kreditorët ende nuk është gjetur. Deri më tani, Sejko zbuloi se kanë gjetur një zgjidhje vetëm për kreditë jo-performuese (kreditë e këqija) që nga bankat e nivelit të dytë u janë shitur institucioneve të mikrokredive. Për këtë kategori, Sejko siguroi se mund të gjendet një marrëveshje që këto kredi të rikthehen edhe njëherë në sistemin bankar. 

"Kjo është e pakonfirmuar por besojmë se do ta kryejmë. Nuk është punë që zgjidhet për 1 ose 2 muaj. E mirë është që të heqim shpejt me miratimin e ligjeve, për procedurat përmbarimore, interesin dhe penaltinë duhen kthyer në ligje që duhet të bashkëpunojmë,"-tha në fjalën e tij Sejko. 

PJESË NGA FJALA E SEJKOS NË KUVEND:

Gent Sejko: Përpos se çfarë ndodhi, e rëndësishme është çfarë do të ndodhi! Ne revokuam licensën, me kompaninë e parë po shkonim drejt likuidimit të saj, në fund të qershorit do të kishte një revokim license. Tek e dyta, ne ishim për ekzaminim dhe në varësi të rezultateve do të kishte nëj revokim ose plan masash. Por ajo që ndodhi na detyroi që të bënim revokimin e licensës, na përball me disa elementë që janë procedura administrimi dhe likuidimi. Ne kemi marrë masat e para, kemi ngritur një grup pune nga Departamenti, kemi bllokuar llogaritë e tyre për mostërheqje, kemi çuar një njoftim Kadastrës që të mos kryejë tjetërsime pronash, për ta ditur këtë revokim license. Po bëjmë definimet ligjore, pasi kjo është hera e parë që ndodh në 30 vjet dhe në varësi të ligjit po bëjmë definimet ligjore për të vazhduar me likuidimin. Do komunikojmë me Ministrinë e Drejtësisë për të caktuar një likuidator për kompaninë dhe më pas do të zbërthehet një plan masash. E rëndësishme është që nuk do të ketë më aproach për klientët. I kemi dhënë një adresë dhe numër kontakti. Çdo klientë mund të ankohet ose të depozitojë kërkesën për sqarim. Po shohim të gjithë elementët që janë, ndjekja e këtyre klientëve nuk do të ketë një aproach përfitues. Rastet që janë me vendime gjykatash krijojnë problematike, por edhe këto raste do t'i shohim me kujdes. Por po qe pas Gjykatës, mbaron mandati i Bankës. Portofoli është nën kontroll, do i tregojmë kujdes çdo konsumatori për ato raste që janë. Kemi dhe kredi performuese, ato raste do bisedojmë me bankat t'i kthejmë në sistemin bankar. Kjo është e pakonfirmuar por besojmë se do ta kryejmë. Nuk është punë që zgjidhet për 1 ose 2 muaj. E mirë është që të heqim shpejt me miratimin e ligjeve, për procedurat përmbarimore, interesin dhe penaltinë duhen kthyer në ligje që duhet të bashkëpunojmë.

Shalsi: Kam biseduar me ministrin e Drejtësisë për të bërë të mundur se çfarë nevojash për ndryshime ligjore do të duhen.

"Micro Credit Albania" dhe "Final" tashmë nuk mund të operojnë më në Shqipëri. Pas një kalvari të gjatë denoncimesh nga ZËRI, Banka e Shqipërisë vendosi që t'u hiqte licencën, pasi akuzohen se kanë zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra si dhe u kanë bllokuar pronat e luajtshme apo të paluajtshme shumë qytetarëve që kanë pasur detyrime të pashlyera.

Vendimi i Bankës së Shqipërisë erdhi pasi Prokuroria e Tiranës lëshoi nëntë masa sigurie. Prokuroria ka dalë në përfundimin se Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, por edhe personat fizikë: Elda Ibro, Andis Gjoka, Olsi Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi, Alban Kote, Aldo Daka, Edmond Mato, Roland Deda, Jordisa Dervishi, Alketa Sali Goxha, Albert Geea, Kejda Seferi, Mariela Basha, Besmir Barxhani, Saimir Hajdari, Bashkim Xhafa, Florian Beqaraj, kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra.

Aktualisht në zyrat e "Micro Credit Albania" dhe "Final" janë nën kontrollin e punonjësve të Bankës së Shqipërisë.

Skema që zbërtheu prokuroria:

Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Skandali me mikrokreditë:

Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI

Poll

MOS HUMB