
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim 9 anëtarët e grupit kriminal që organizuan atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, por nga kjo ngjarje kanë zbuluar edhe ngjarje të tjera kriminale. Sa i përket atentatit ndaj ish-prokurorit, porositësi zbulohet se ka qenë Plaurent Dervishaj, i cili prej disa vitesh fshihet në Dubai. "Porosinë" për të hequr qafe ish-hetuesin, Dervishaj ia besoi Ramazan Rrajës, i cili në bashkëpunim me Arjol Halilaj kryen atentatin që viktimën e vetme pati shoferin e Ndojt, Andi Malokun.
Për këtë ngjarje është dënuar me burgim të përjetshëm, Redjan Rraja, ndërsa për Halilajn 35 vite burg. Por edhe pse në burg, të dy kanë marrë "sinjale" nga jashtë. Prokuroria e Posaçme thotë se ka rezultuar e provuar se Dervishaj, së bashku me persona të tjerë të grupit të tij, janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, por kundrejt garancisë që nuk do t'i përmendnin kurrë emrat e porositësve, pra të Dervishajt dhe të tjerëve.
"Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime,"-shkruan SPAK.
Por në fakt, nuk ka qenë nevoja, pasi përfshirja e tyre në këtë ngjarje është faktuar nga mesazhet e enkriptuara nga Franca.
Të pandehurit: Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, janë identifikuar si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në atentatin ndaj Ndojit dhe në disa ngjarje të tjera kriminale. Të gjithë u kanë siguruar Rrajës dhe Halilit armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat dhe më pas për t'i ekzekutuar. Madje, jo vetëm kaq! U kanë siguruar informacione për lëvizjet e viktimave edhe nga bazat e të dhënave shtetërore, pra nga sistemi TIMS. Një person, me siguri pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit i dërgonte Dervishajt të dhëna lidhur me fotot e personave në shënjestër dhe lëvizjet e tyre, por jo vetëm kaq. Të njëjtët persona i siguronin informacione edhe lidhur me makinat me të cilat lëviznin shënjestrat e tyre.
5 anëtarë të grupit janë të arrestuar në Shqipëri, bëhet fjalë për: Ramazan Rrajën, Endrit Sinanin, Genti Nderjakun, Julian Pjetrin dhe Bashkim Haxhiajn, ndërsa në Dubai janë lokalizuar: Plaurent Dervishaj dhe 2 miqtë e tij, Julian Meçaj dhe Amar Shkëmbi. Por arrestimi i tyre nuk shihet ende si mundësi, pasi Dubai nuk ka marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë./ZËRI