Aktualitet

“Kurthi” modern për biznesmenët

Grupet kriminale shtiren si zyrtarë, përdorin rrjetet sociale si mënyrën më të sigurtë për të gjurmuar viktimat e tyre, ku dhe kamuflimi i prezantimit është më i lehtë.

Florida Mingla
“Kurthi” modern për biznesmenët
Biznesmenet

TIRANË- Mënyra e vendosjes së gjobave ka ndryshuar, pavarësisht se shifrat dhe personat që i orkestrojnë mund të kenë mbetur të njëjtët. Tashmë grupet kriminale shtiren si zyrtarë, përdorin rrjetet sociale si mënyrën më të sigurtë për të gjurmuar viktimat e tyre, ku dhe kamuflimi i prezantimit është më i lehtë.

Mbrëmjen e 5 janarit të këtij viti, në aplikacionin signal në telefonin e biznesmenit Pëllumb Salillari, mbërriti një mesazh nga një kontakt me emrin ‘Edi’.

Sikurse rezulton nga dosja hetimore, Salillari i është përgjigjur pas disa minutash me fjalët: Mirë shef si jeni?

“Doja me të thënë dicka, por po i them dikujt tjetër,”- vijon dërguesi.

Por ky ishte dhe momenti kur Salillari kuptoi se bëhej fjalë për një mashtrim. Ai njoftoi policinë dhe në marrëveshje me ta vijoi bisedën. Personat që shkruanin me një numër anglez i kërkuan 150 mijë euro dhe momenti kur dolën t’i merrnin ishte dhe çasti kur u arrestuan. Në pranga ranë Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç.

Bedri dhe Albert Vodha (babë e bir) tentuan që në të njëjtën mënyrë të mashtronin biznesmenin Ramë Geci. Ata u hoqën si kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Lali jam, e di si e kam situatën në këto kohë, a ke mundësi për 100?”

 “Nuk kam 100, 70 të bëjnë punë?” ishte mesazhi karrem që mbërriti në celularin e mashtruesve, pasi prokuroria mori në dorë situatën.

Takimi për marrjen e shumës së parave në zyrën e biznesmenit Geci ku dhe u bë arrestimi i babë e bir në flagrancë. Në kërkim është shpallur Florian Gjergji.

Pre e mashtrimit ka rënë edhe biznesmeni Aleksandër Gavoçi, të cilit iu kërkua shuma 70 mijë euro. Mashtruesit sërish u shtirën si kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Edhe pronari i ‘Brunes’, biznesmeni Geront Çela është tentuar të mashtrohej. Emri që është përdorur si 'dërgues' ka qenë i kryetarit të bashkisë Vlorë, Ermal Dredha. Policia arriti ti zbulonte bashkëpunëtorët në momentin kur ishte organizuar dorëzimi i shumës prej 35 mijë euro. 

Ergys Ahmetaj, Gëzim Kusi dhe Andi Basha u arrestuan pasi tentuan të mashtronin biznesmenin Erald Çaushi duke përdorur emrin e ish-kreut të Kadastrës në Shqipëri, Artan Lame. Tre të rinjtë i zhvillonin bisedat e tyre në aplikacionin SnapChat, ku përdorej dhe emri i Lames. Më pas, ata i fshinin bisedat, duke bërë që biznesmeni të dyshonte lidhur me kërkesat e të rinjve. Tashmë ata janë në pranga dhe hetimet kanë zbuluar se Çaushi nuk ishte biznesmeni i vetëm që kishte rënë në rrjetën e tyre.

Arjan Bllacaj, është vënë në pranga të policisë së Tiranës pasi ka tentuar që t’i marrë shumë prej 200 mijë eurosh, biznesmenit Adi Haxhiymeri, pronar fabrikës së miellit “Prima”.  Bllacaj e ka telefonuar biznesmenin në emër të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt. Edhe pas këtij skenari dyshohet se fshihet Florian Gjergji, i shpallur në kërkim dhe për rastin e biznesmenit Ramë Geci.

Poll

MOS HUMB