
TIRANË- Erzen Breçani është kthyer në kryefjalën e mediave sot, pas arrestimit të djeshëm nga SPAK për përfshirje në një grup kriminal që merrej me transport kokainë nga Amerika Latine. Me arrestimin e tij, ZËRI ka risjellë për lexuesit disa nga përfshirjet e tij më të bujshme në politikë, ku nuk kanë munguar as përplasjet. I tillë është rasti i përplasjes së tij verbale me asokohe deputetin e Partisë Socialiste, Saimir Tahiri për shembjen e një godine 3-katëshe pranë shkollës Petro Nini në Tiranë, rruga "Margarita Tutulani".
Përleshjet ndodhën teksa Zyra e Përmbarimit e mbështetur nga policia private nuk lejonte banorët të hynin në godinë, pasi godina do i dorëzohej pronarit. Por ndërsa brenda në godinë ndodheshin 2 familje të cilat nuk pranonin të dilnin, pranë tyre shkuan edhe disa ish-deputetë të PS-së si Sajmir Tahiri, Shegushe Ligori, Pirro Lutaj. Me të hasur me Breçanin që asokohe mbante postin e zv.drejtorit të Policisë Tiranë, ka nisur edhe konfliktin edhe me të.
ZËRI e rikthen të plotë për ju të gjithë debatin e zhvilluar:
Tahiri: Zotëri si kalon? Jemi 5 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Breçani: Qofshi shëndosh!
Tahiri: Nuk kemi nevojë fare për urimet e tua jemi shëndoshë apo nuk jemi shëndoshë.
Breçani: E mirë pra hajt...
Tahiri: Të lutem, je autoritet. Ke detyrimin të komunikosh me ne
Breçani: Çfarë do? Pse ke ardhur këtu? Më thuaj mua
Tahiri: E para e punës, fol me respekt, e dyta ke detyrimin të flasësh me ne.
Breçani: Për ça? Ik mor ti andej, të flasësh me mua...
Tahiri: Urdhëro? Ky është drejtuesi i Policisë? Bravo të qoftë e tregove fytyrën dhe uniformën.
Breçani: Aman mos na provoko kot!
Tahiri: Urdhëro unë të provokoj? Po ti ke 5 deputetë këtu dhe nuk i jep përgjigje
Breçani: Mos ma bëj mua me gisht. Se nuk je ti të ma bësh me gisht mua. Hajde flasim atje në zyrë.
Tahiri: Je fiks fytyra e Policisë. Gjynah për këta që kanë drejtues si puna jote. Është turp sepse ti nuk përfaqëson njerëzit, ti sillesh si ganster...
Breçani: Mos më thuaj mu gangster se nuk jam ganster unë. Jam funksionar i lartë i Policisë së Shtetit. O ti! Shiko mua këtu. Kam 21 vjet në Policisë të Shtetit, ik more këput qafën
Tahiri: Po sa i fortë je? Kaq i fortë je? Të këpus qafën... Je fiks drejtuesi i sotëm i Policisë. Të të vijë zor para njerëzve.
Breçani: Shi ça bën ai mo, ganster thotë.
Tahiri: Po të vijnë 5 deputetë nga mbrapa të japësh përgjigje. Unë jam deputet
Breçani: Ti je një mos më bëj më të thënë... A doni me fol me Policinë e Shtetit? Ejani në zyrë.
Tahiri: Ne duam të flasim me banorët. Ajo nuk është burg apo jo? Ajo është një banesë. Ti thua nuk ka banorë brenda, ka banorë brenda. Ti po na gënjen sy për sy. Banorë ka brenda. Më gënjeve njëherë. Dy herë nuk të lejoj dot. Pse na ndalon? Na jep një bazë ligjore pse na ndalon!
Breçani: Prit të mbarojë dhe hyr kur të duash.
Tahiri: Hajde se nuk ka lidhje ky, është e pamundur!
Debati që duket se përfundoi me aq, në nëntor të 2013 Erzen Breçani paditi në gjykatë Policinë e Shtetit për largim të padrejtë nga organizata e policisë. Pas marrjes së detyrës në krye të Ministrisë së Brendshme, të ministrit Tahiri, Erzen Breçani u transferua në Dibër. Ndaj dhe padia e depozituar Gjykatën Administrative, kërkonte revokimin e urdhrit të ish-kryepolicitArtan Didi, dhe rikthimin e tij në detyrë.
Muaj më vonë, në prill të 2014, ndaj tij dhe të tjerëve u ngrit një Komision Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit. Breçani deklaroi se ishte shkarkuar për shkak të origjinës së tij nga veriu dhe hakmarrjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
"Kam 21 vjet karrierë; kam luftuar me bandat e kriminelëve; kam disa çertifikata mirënjohjeje dhe dekoratë. Me deputetët e opozitës jam konfliktuar vetëm kur kanë shkelur ligjin, por asnjëherë nuk i kam fyer ata."
Përsa i përket mesazhit në Facebook, publikuar në profilin e tij në verën e 2013-ës, Breçani tha se nuk ishte postuar prej tij, por prej djalit 10-vjeçar dhe kjo çështje ishte sqaruar. Në atë mesazh, drejtuar ish-Kryeministrit Berisha, Breçani shprehej për Ramën: Do ngrihemi, që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët!
Edhe pse i përfshirë, e mohoi se kishte lidhje edhe me biznesin e vëllezëve të tij.
Balla: A keni një biznes privat? Si psh.”Breçani Security?”
Breçani: Ju mund ta verifikoni vetë tani, unë nuk kam asnjë lidhje me të, por janë vëllezërit e mi, njerëz me arsim të lartë e të ndershëm, që punojnë e kanë hallet e tyre.
Balla: Z.Breçani, mos ia lini më celularin djalit!
Ristani: Kjo nuk ishte pyetje!
Breçani: Këtë celular unë e mbaja në shtëpi kur punoja dhe atë e merrnin në përdorim familja, fëmija…Më mori në qafë Facebook, thoni ju?!
Megjithatë, përballja në Komision për të ishte e kotë, pasi shpejt e vari uniformën, për t'u bashkuar vëllezëve të tij në "Breçani Security". Atëherë thoshte "nuk jam ganster", por duket se SPAK e ka nxjerrur zbuluar, duke zbardhur të gjitha lidhjet që ai ka me personazhe të njohur të botës së krimit. Të ndërlidhura sigurisht, edhe me ato familjare.../Zëri.ai