TIRANË-Shqipëria vijon të përballet me skandalet në lidhje me sigurinë ushqimore. Këtë herë shkak u bë një raportim i disa ditëve më parë ku u pikas përmbajtja e aflatoksinës tek qumështi i disa fermave, në zonën e Lushnjës. Fillimisht ishte deputeti Erion Braçe, i cili deklaroi se fermerët po përballen me pamundësinë për të shitur qumështin e tyre, ku sipas denoncimeve të fermerëve në zonën e Myzeqesë, fabrikat përpunuese konkretisht Lufra po refuzon të marrë qumshin e tyre me pretendimin se ka prani të Aflatoksinës.
Lidhur me këtë, me anë të një njoftimi zyrtar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se qumështi që rezulton me përmbajtje aflatoksine M1, mbi kufirin i përcaktuar në legjislacionin e Bashkimit Europian, konsiderohet i pasigurt. AKU shprehet se, refuzimi i saj nga subjektet përpunuese përbën jo vetëm të drejtë, por edhe detyrim ligjor, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.
“Në bazë të nenit 10 të Ligjit Nr. 9863, datë 28.01.2008 "Për Ushqimin", i ndryshuar, ushqimi konsiderohet i pasigurt kur është i dëmshëm për shendetin e njeriut dhe, si i tillë, nuk lejohet të nxirret në treg apo të përdoret për përpunim. Neni 24 i po këtij ligji parashikon detyrimin e operatorit të biznesit ushqimor që, në rast se konstaton se një ushqim ose lëndë e parë nuk është në përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore, të ndërmarrë menjëherë masat për refuzimin, bllokimin dhe njoftimin e autoritetit kompetent. AKU vlerëson angazhimin e industrisë së përpunimit të qumeshtit për zbatimin e standardeve të sigurisë ushqimore", thuhet në njoftimin e AKU-së
Përveç aflatoksinës, industria e përpunimit të qumështit është e detyruar, me ligj, të kryejë kontrolle rigoroze edhe për antibiotikët dhe nivelin e qelizave somatike, indikatorë kyç të cilësisë dhe sigurisë së produktit.
Vetë kompania 'Luftra' sqaroi se nuk refuzon fermerët, por punon për të garantuar që qumështi të përmbushë standardet ligjore dhe ato europiane të cilësisë dhe sigurisë. Sipas kompanisë vendimi për të refuzuar disa nga blegtorët, bazohet në analizat laboratorike dhe kryhet për të mbrojtur konsumatorin. Deputeti Braçe pretendoi se kjo është një skemë e qëllimshme, duke sugjeruar se fabrikat mund të jenë orientuar drejt importeve, me qëllim përfitimin e lehtësira fiskale. Nga ana tjetër kompania thekson se gjithçka varet nga plotësimi i kritereve të sigurisë./ZËRI

