
TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar këtë të hënë me 10 vite burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Ky i fundit për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 6 vite e 8 muaj burg. Siç mund të shihet dhe në pamjet e mëposhtme të pranishëm në seancë kanë qenë dhe familjarë të Kokës.
Në fotot shihet i vëllai Leonard Koka dhe kunati Agron Duka. Ky i fundit deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ata duken të tensionuar teksa bisedojnë me njëri-tjetrin.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka sa i përket inceneratorit të Fierit akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për akuzën e “Korrupsionit”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Mashtrimit” dhe “Pastrimit të parave”. Sa i takon pasurive, GJKKO ka lënë në fuqi vetëm një sekuestro ndaj Lefter Kokës, ndërsa ka cilësuar se pasuritë e tjera kanë qenë të ligjshme. Vetë Koka ka kërkuar pafajësi në të gjitha seancat, ndërkohë që e ka konsideruar të motivuar politikisht arrestimin e tij./Zëri