
TIRANË- Pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka anuluar takimin e shkrimtares dhe gazetares serbe Ivona Djuriç, i parashikuar për t’u mbajtur këtë të hënë. Djuriç ndodhet në Tiranë si rezidente e projektit READ, me partneritet Institutin e Librit dhe Promocionit.
Djuric do të ishte në një takim me gazetarë të kulturës dhe lexues mbi rolin e medias në kontekste të reja shoqërore e kulturore, dhe ndikimin që ka tek brezi i ri, përvojën e saj në Tiranë, dhe letërsinë bashkëkohore ballkanike.
Çfarë ndodhi dje në Kosovë?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm kriminal në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.
Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, ndërkohë që situata në veri të paktën mëngjesin e sotëm është paraqitur e qetë, me Manastirin e Banjskës që është nën kontroll nga policia e Kosovës, në të cilin u gjetën sasi të mëdha armësh dhe municioni. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai