
TIRANË- Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe 2 persona të tjerë. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se arrestimi i Beqajt është bërë për dosjen e keqmenaxhimit të fondeve të huaja, teksa ai ishte në drejtimin e SASPAC. Prokuroria e Posaçme ka dyshime të forta se Ilir Beqaj ka abuzuar me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte agjencisë SASPAC.
Përmes njerëzve të besuar, ku njëri prej tyre ishte Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë Agjencisë, ata dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash, përmes faturave fiktive për shërbimeve të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.
Hetimet për SASPAC
Ermal Kurtulaj sipas SPAK, ishte ne qendër të kësaj skeme, i cili rezulton se ka njohje te hershme me ish-drejtuesin e Agjencisë SASPAC, Ilir Beqaj, i cili e ka punësuar edhe si drejtues të projektit Eusair. Kurtulaj është përgjuar dhe vëzhguar gjatë bisedave apo kontakteve me pronarë të bizneseve të ndryshme, ku merr prej tyre fatura për eventet e organizuara.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Kurtulaj ka marrë ndër të tjera fatura nga një biznes në Tiranë, që në fakt i përkasin restorantit “Gzona”, tek Kalaja e Tiranës dhe këto veprime janë kryer me qëllim që të fshihet lidhja mes Gzonës dhe Shtetasit Ilir Beqaj, që atëkohë ishte drejtori i SASPAC dhe monitoronte projektet.
Kjo për faktin, se gruaja e Beqajt, Adriana Beqaj, ka qenë aksionere në masën 50 për qind e kompanisë së zotëron restorantin, aksione që më pas i ka shitur dhe dhuruar tek Arti Malaj, i cili më pas ja ka shitur Eduart Curraj, administratorit të kompanisë farmaceutike “Delta Pharma”, që u bastis nga SPAK, për shkak se ka dyshime se Beqaj e ka favorizuar edhe kur drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
SPAK ka dyshime se restoranti është në zotërim indirekt nga Ilir Beqaj dhe janë bashkëpunëtorët e tij, kryesisht Ermal Kurtlaj që përpiqet të shmangë çdo lloj përfshirje të ish-ministrit, me qëllim që të mos ketë probleme me ligjin.
Ish-ministri i shëndetësisë, ishte gjithashtu nën hetim, dhe nën masën e sigurisë 'detyrim paraqitje" për ‘shpërdorim detyre’ lidhur me kontratën koncensionare të sterilizimit në kundërshtim me ligjin. /ZËRI