
TIRANË- Ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça është lënë në ‘arrest shtëpie” nga trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi akuzohet se ka ndërhyrë në të dhënat e sistemit TIMS. Gjatë një komunikimi me gazetarët në hyrje të Prokurorisë, Muça tha se ai është i pafajshëm, dhe se të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij janë spekulime. I pyetur nga gazetarët se kush e ka porositur kopjimin e të dhënave, Muça tha se nuk e ka kryer asnjë veprim në kundërshtim me ligjin.
“Jam i pafajshëm, e gjitha kjo ka qenë një spekulim, nuk kam kopjuar asnjë të dhënë. Askush nuk më ka kërkuar asgjë, kam kryer detyrën time, dhe nuk kam bërë asnjë shkelje”, u shpreh Muça para SPAK.
Hetimet ndaj tij nisën vetëm pas insistimit të ambasadës amerikane në Tiranë, pavarësisht që ishin denoncuar më herët në media. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin, kur në mesnatën e datës 2 Gusht të vitit të kaluar, Ervin Muça, ka hyrë në zyrën ku ndodhet serveri qëndror i bazës së të dhënavë të TIMS.
Për të hyrë në sistem, ai ka përdorur punin e një punonjëse tjetër të policisë, në mënyrë që të mos linte gjurmë. Më pas ai ka kopjuar të gjithë të dhënat e qytetarëve në sistemin TIMS, për një qëllim që edhe sot e kësaj dite mbetet i panjohur. Autoritete do të vendoseshin në lëvizje për këtë skandal, vetëm pas një takimi që përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Tiranë, Martin McDowell do të kishte me ministrin Taulant Balla, në 22 gusht të vitit të kaluar.
McDowell kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre. Menjëherë pas këtij takimi, në datën 1 Shtator, Agjencia e Mbikqyrjes Policore referoi në Prokurorinë e Tiranës materialet për dyshime mbi kryerjen e veprës penale të “ndërhyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike”.
Paralelisht me hetimet që po kryheshin nga prokuroria, opozita në vend kërkoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, i cili u miratua vetëm në muajin Mars të këtij viti. Komisioni që drejtohet nga Ervin Salianji, do të hetojë pikërisht ndërhyrjet e mundshme që janë bërë në sistemin TIMS, dhe fshirja e të dhënave që mund të jetë bërë për eksponentë të ndryshëm të krimit./ZËRI