Aktualitet

SKANDALI me TIMS u hetua vetëm pas ndërhyrjes së amerikaneve, KRONOLOGJIA që çoi në arrestimin e Ervin Muçës

Sapo u zgjodh në detyrë, Muça kishte vetëm një objektiv, të kopjonte të dhënat e sistemit TIMS

E.K
SKANDALI me TIMS u hetua vetëm pas ndërhyrjes së amerikaneve,
Ervin Muca

TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga skandali me cënimin e të dhënave të sistemit TIMS, që çuan në vendimin e prokurorisë për të lëshuar masën e arrsetit të shtëpisë ndaj Ervin Muçës, ish-drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit. Hetimet ndaj tij nisën vetëm pas insistimit të ambasadës amerikane në Tiranë, pavarësisht që ishin denoncuar më herët në media. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin, kur në mesnatën e datës 2 Gusht të vitit të kaluar, Ervin Muça, ka hyrë në zyrën ku ndodhet serveri qëndror i bazës së të dhënavë të TIMS.

Për të hyrë në sistem, ai ka përdorur punin e një punonjëse tjetër të policisë, në mënyrë që të mos linte gjurmë. Më pas ai ka kopjuar të gjithë të dhënat e qytetarëve në sistemin TIMS, për një qëllim që edhe sot e kësaj dite mbetet i panjohur. Autoritete do të vendoseshin në lëvizje për këtë skandal, vetëm pas një takimi që përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Tiranë, Martin McDowell do të kishte me ministrin Taulant Balla, në 22 gusht të vitit të kaluar.

McDowell kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre. Menjëherë pas këtij takimi, në datën 1 Shtator, Agjencia e Mbikqyrjes Policore referoi në Prokurorinë e Tiranës materialet për dyshime mbi kryerjen e veprës penale të “ndërhyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike”.

Paralelisht me hetimet që po kryheshin nga prokuroria, opozita në vend kërkoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, i cili u miratua vetëm në muajin Mars të këtij viti. Komisioni që drejtohet nga Ervin Salianji, do të hetojë pikërisht ndërhyrjet e mundshme që janë bërë në sistemin TIMS, dhe fshirja e të dhënave që mund të jetë bërë për eksponentë të ndryshëm të krimit.

Prokurorja e çështjes, Anisa Qilimi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, kanë krijuar dyshime të forta se autori i ndërhyrjes në sistemin TIMS është drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça. Për këtë ata i kërkuan së fundi Gjykatës së Tiranës, masën e sigurisë arrest në shtëpi për Muçën, ndërkohë që u firmos edhe pezullimi i tij nga radhët e policisë së shtetit.

Vetë Muça i ka mohuar akuzat e prokurorisë ndaj tij, dhe pretendon se nuk ka kryer asnjë vepër penale që cënon të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë.

Mbetet për t’u parë nëse hetimet do të zgjerohen, për të kuptuar se për llogari të kujt ka vepruar Muça, apo nëse këto të dhëna mund t’iu jenë dhënë palëve të treta, me qëllim përfitimin financiar.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB