
TIRANË- Nadir Çausholli është një nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri, por në orët e para të mëngjesit të sotëm, dikush i dërgoi një mesazh! Një person i maskuar, i paguar nga dikush, shkrepi një karikator plumbash mbi kompaninë e tij, në periferi të Tiranës duke e përfshirë biznesmenin pak edhe në kronikë. Vetë Çausholli pretendon se nuk ka asnjë konflikt, por duket se diçka nuk po tregon. Për më tepër, që kjo nuk është hera e parë që ka probleme me ligjin. Për herë të parë, ai u arrestua në tetor të vitit 2015, pasi akuzohej nga Prokuroria e Tiranës për mashtrim me rimbursimin e TVSH-së për medikamentet, me një dëm ndaj shtetit në vlerë që përllogaritej në rreth 2 milionë euro.
Prokuroria e Tiranës kishte dalë në përfundimin se nëpërmjet kompanisë së tij “OmegaPharma” ai ka falsifikuar dokumente dhe ka përfituar rreth 2.2 milionë euro nga fondi i ilaçeve të rimbursueshme. Pas një beteje jo shumë të gjatë ligjore, ndryshe nga sa ndodh rëndom në Shqipëri, ai ia doli të shpallej i pafajshëm, me një vendim të Apelit të Tiranës.
Pas kësaj pafajësie, Çausholli iu rikthye biznesit të ilaçeve, duke ndryshuar emrin e kompanisë së mëparshme ne “CFOPharma”. Kompania që edhe u sulmua sot. Mirëpo pas kohës së paraburgimit, nuk u ndal vetëm tek farmaceutika. Nga qelia doli me ide të reja biznesi dhe arriti që të siguronte licensën për të marrë të paktën dy linja autobusësh urbanë në kryeqytet. Në fund të vitit 2021, kompania “CFO Pharma” blen për 100 mijë euro aksionet e shoqërisë “Gerard-A”, e cila zotëronte licensën e linjës së autobusëve urbanë të Kasharit.
Kompania u "vesh" bukur me një mendësi të re, atë të të menduarit "jeshil", duke prezantuar autobusët "Green Line (ish 'CITY TRANS - A'')". Pronarët e vjetër kishin rreth 2 milionë euro borxhe në momentin kur e shitën kompaninë, por duket se Çausholli "pa" diçka dhe investoi. Vetëm se pikërisht kjo linjë autobusësh rrezikoi jetën e dhjetra pasagjerëve gjatë një aksidenti që ndodhi në zonën e Lanës. Në 22 prill 2022, një autobus i shoqërisë “Green Line” doli nga rruga dhe përfundoi në skarpatet e lumit Lanë, së bashku me pasagjerët, në zonën e quajtur “Pallatet Agimi”, shumë pranë ish-Bllokut. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua dhe e gjithë ngjarja sado e rëndë, u shit si "PR".

Madje u propozua që autobusi të lihej në Lanë si një relike. Por marrëzia mori fund shpejt, pasi ekspertët këshilluan për të kundërtën. Autobusi ishte kthyer në një atraksion për qytetarët dhe vendi ku kishte ngecur, mes dy brigjeve të lumit, rrezikonte që të fundosej dhe të cënonte jetën e ndonjë të pafati. Lidhur me ngjarjen, Prokuroria e Tiranës zhvilloi hetime për aksidentin dhe ngriti akuzë penale ndaj drejtuesit të autobusit për “plagosje të lehtë me dashje” në dëm të disa personave. Madje çështja shkoi në gjykatën e Tiranës, por në nisje të procesit, palët u tërhoqën nga ankimimi.
Kështu me kalimin e kohës ngjarja u harrua si shumë të tjera që ndodhin në vendin tonë.
Por ndodh që biznesi nuk ecën gjithmonë "vaj"!
Në korrik të vitit që lamë pas, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) i ndaloi kompanisë farmaceutike “CFO Pharma” që të marrë pjesë në tendera shtetërorë për një periudhë 6-mujore. Shkak për penalizimin është bërë keqinformimi i instituciove kontraktuese në dy procedura tenderimi. Ndërsa në dhjetor, Agjencia e Prokurorimit Publik (APP) ndaloi po për 6 muaj, kompaninë tjetër të Çaushollit, kompaninë “Green Line”, që të merrte pjesë në tendera. E gjitha ndodhi sepse edhe pse Çausholli ishte ndaluar që të merrte pjesë në tendera, garoi për të marrë projektin për transportin e punonjësve të Shoqërisë (QPN Gorisht + V.B. CakranMollaj)” të “Albpetrol”.
Këta të fundit konstatuan se ortaku i shoqërisë pjesëmarrëse në tenderin e saj, “Green Line”, Nadir Çausholli, ishte njëkohësisht edhe ortak i “CFO Pharma”, që tashmë ishte përjashtuar me vendim të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) dhe rrjedhimisht duke ndjekur ligjin bënë edhe ankimimin. Megjithatë jo gjithmonë shkon keq. Nëse për tendera, dyert i kishte të mbyllura tek të dyja kompanitë e tij, fati i ndriçoi në agroturizëm. “CFO Pharma” ka marrë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) një leje ndërtimi në fushën e agroturizimit.
Por fati nga njëra dorë të jep, nga tjetra të merr!
Tashmë biznesmeni ka një problem të ri me të cilin duhet të merret. E madje jo vetë, por edhe Prokuroria që duhet të ketë nisur hetimet. Kush e kërcënon Nadir Çaushollin? Dhe përse? Sulmi ndodhi për shkak se ai është një biznesmen i suksesshëm apo ka ndonjë arsye tjetër? Këtë duhet ta zgjidhë drejtësia.../ZËRI