
TIRANË- Agjencia e Prokurimit Publik (APP) e përjashtoi kompaninë farmaceutike "CFO Pharma" për një vit nga përfitimi i të gjitha kontratave publike. Por nëse nga një dorë kanë dhënë, nga tjetra 'kanë marrë'! “CFO Pharma” ka marrë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) një leje ndërtimi në fushën e "agropylltarisë", ose e thënë ndryshe "agroturizëm".
"Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), në një mbledhje të zhvilluar së fundmi, miratoi “Leje Ndërtimi për objektin: “Agropylltari, bujtina dhe fermë në funksion të agropylltarisë”, me vendndodhje në Autostradën Tiranë – Elbasan, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “CFO Pharma” sh.p.k”."
Por cilat janë shkeljet e kompanisë, e cila tashmë është e pezulluar nga APP?
Agjencia e Prokurimit Publik thotë se ka nisur hetimin administrativ, bazuar në informacionin e përcjellë nga Inspektorati Shtetëror i Punës, institucion që ka gjobitur me 200 mijë lekë të reja kompaninë për shkelje të rënda. Edhe pse ishin të gjobitur, kompania e Çaushollit e ka fshehur penalitetin duke "gënjyer" në dokumentet që kanë dorëzuar pranë autoriteteve tenderuese. E gjitha për të vazhduar dhe për të marrë tendera kur në fakt, ligji për Prokurimit Publik parashikon që kompanitë e gjobitura për shkelje të ligjit të punësimit përjashtohen nga tenderat publikë.
Megjithatë kjo nuk është hera e parë që “CFO Pharma” dhe pronari i saj ka probleme me ligjin. Nadir Çauaholli është dënuar disa herë për mashtrim në mënyrë të përsëritur, histori që nis që nga viti 2015. Biznesmeni ka përfituar tendera nga Ministria e Shëndetësisë edhe kur ka qenë në burg duke vuajtur dënimin për mashtrim.
Asokohe kompanisë së tij që mbante emrin "OMEGAPharma" u dënua duke iu hequr e drejta të tregtojë ilaçe, por vetëm një vit më vonë, në 2016 iu dha çmimi si “Biznesi më i Mirë i Vitit” nga Dhoma e Tregtisë. Ndërkohë që mediat kishin zbuluar se në farmacitë e Çaushollit shitesnin ilaçe të importuara me çmime disafish më të larta sesa i blinte. Një nga abuzimet më të mëdha që ka bërë kjo kompani, është zbuluar nga mediat dhe ka të bëjë me ilaçin e quajtur "Soludamin". Çausholli ua shiste pensionistëve të varfër këtë ilaç me vlerë 180 herë më të shtrenjtë se çmimi i blerjes dhe shumëfish më shtrenjtë se çmimi që kishte miratuar komisioni i çmimit të barnave.
Përveç dënimit me burg, ndaj kompanisë së tij u vendos 400 milion lekë gjobë. Megjithatë, edhe pse i dënuar për mashtrim, Çausholli vazhdoi biznesin e tij, të cilin duhet ta pezullojë vetëm për një kohë të shkurtër./ZËRI