Aktualitet

“Kurrë dritë mos pafshin”, i rritur jetim dhe kujdesej për motrën, rrahja për vdekje e 18-vjeçarit trondit Kosovën

Lulzimi ishte rritur pa nënë e pa babë, ndërsa motra e tij ka bërë reagimin prekës

E.K
“Kurrë dritë mos pafshin”, i rritur jetim dhe kujdesej
Viktima dhe xhaxhai i tij

TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën, ku 18-vjeçari nga Podujeva Lulzim Fejzullahu u përplas me makinë, dhe më pas u rrah barbarisht nga dy persona të tjerë. Dy autorët e kësaj ngjarje të rëndë u vunë në pranga, ndërkohë që janë publikuar pamjet e aktit barbar, ku i riu rrihet dhe lihet në gjendje të rëndë në mes të rrugës.

Sulmi që i mori jetën Lulzimit dyshohet se ndodhi mesditën e 14 janarit, ndërsa dyshohet se shkak për sherrin është bërë një konflikt për radhën që autorët dhe viktima kishin pasur në një berberhane.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Dy të dyshuarit që ndodhen prapa hekurave për këtë rast janë E.Kadriu (16-vjeçar) dhe A.Abdullahu (17-vjeçar).

Ngjarja bëhet edhe më tragjike nga rrëfimet e familjarëve të Lulzimit, i cili është rritur pa prindër, dhe kujdesej edhe për motrën e tij më të vogël. Xhaxhai i tij tregon detajet nga ngjarja makabre.

“Unë jam xhaxhai tij. Lulzimi si 18-vjeçar ka qenë punëtor, ka qenë jetim. Pa dy prindërit. E e kanë ndjek me makinë, e kanë shkel, e kanë shtypë e kanë rrëzuar. Kur e kanë rrezuar Lulzimin, e kanë goditur me shkop bejsbolli derisa sot në ora 3 pasdite ndërroi edhe jetë”, tha xhaxhai i Lulzimit.

Pas rastit, motra e të ndjerit ka reaguar në rrjetet sociale duke shprehur dhimbjen dhe zemërimin për humbjen e vëllait të saj në mënyrë tragjike. “Ju kalltë zemra si neve qysh po na kallet, Allah dënoj, kurrë dritë me sy mos pafshin”, ka thënë ajo./ZËRI 

Poll

MOS HUMB