
DIBËR- Dy turistë zviceranë kanë kaluar gjithë natën në mal pasi u bllokuan nga një ortek në afërsi të Sorokolit në Malin e Korabit. Turistët kishin dalë për ekspeditë që pasditen e djeshme, por për shkak të ortekut mbetën të bllokuar në zonën e quajtur si "Grykë Çajë". Madje njëri prej tyre kishte thyer edhe këmbën.
Duke qenë se për shkak të dëborës dhe problemit me këmbën nuk kanë mundur që të kthehen dot pas, personat e tjerë që shoqëronin çiftin kanë vënë alarmin. Kështu në kërkim të tyre është nisur menjëherë Policia e Dibrës dhe forca nga Tirana.
Të gjendur të bllokuar në mes të malit, burime për ZËRI bëjnë me dije se çifti kishte gjetur mënyra për t'u përshtatur në mënyrë që të mbijetonin natën, kur temperaturat kapën -18 gradë celcius. Për të mbrojtur sadopak veten, çifti kishin hapur një gropë në dëborë, për t'u mbrojtur nga temperaturat e ulëta. Veprimet e tyre duket se i kanë shpëtuar jetën nga i ftohti i acartë. Një tjetër element që ka ndihmuar në gjetjen e tyre ka qenë edhe mungesa e mjergullës, e cila i ka bërë më të evidentueshëm prej së largu. Gjithashtu, mungesa e mjergullës lejon helikopterin që të ulet dhe të transportojë të dy zviceranët drejt Tiranës.
Deri më tani të dy duken në gjendje të mirë shëndetësore, por gjithsesi do të duhet që ti nënshtrohen një ekzaminimi mjekësor./ZËRI