Aktualitet

KPA konfirmon në detyrë prokurorin e Elbasanit

Dosja e Ismajlukajt kaloi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pasi Komisionerja Publike, Irena Nino kërkoi në KPA shkarkimin e prokurorit duke ngritur pretendimin se kontaktet e tij me persona të dënuar cënonin besimin e publikut te drejtësia. Por kjo u kundërshtua nga prokurori.

E.K
KPA konfirmon në detyrë prokurorin e Elbasanit
Artur Ismajlukaj

TIRANË- Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë këtë të martë në detyrë prokurorin e Elbasanit Artur Ismajlukaj. Por, të dhënat mbi udhëtimet e tij me persona me precedentë do ti kalojnë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë për të hetuar mbi shkelje disiplinore. Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit përbëhej nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë.

“Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr. 681, datë 07.07.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Artur Ismajlukaj” thuhet në vendimin e shpallur sot

Dosja e Ismajlukajt kaloi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pasi Komisionerja Publike, Irena Nino kërkoi në KPA shkarkimin e prokurorit duke ngritur pretendimin se kontaktet e tij me persona të dënuar cënonin besimin e publikut te drejtësia. Por kjo u kundërshtua nga prokurori.

Ismajlukaj u konfirmua në detyrë më 7 korrik 2023 pasi u përball me dy seanca dëgjimore në të cilat kryesisht u diskutua mbi udhëtimet e tij në makina me persona me precedentë penalë, në një rast me makinën e një personi të dënuar për krim të organizuar në Rimini të Italisë. Ndërkohë sa i përket profesionalizmit dhe pasurisë, prokurori i Elbasanit nuk kishte probleme. Vendimi i sotëm hyn në fuqi menjëherë dhe ka efekt përfundimtar./ZËRI

Poll

MOS HUMB