TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masat e sigurisë për 6 personat e arrestuar në lidhje me koncensionin e sterilizimit, për të cilin vetë GJKKO i ka kërkuar SPAK-ut që të hetojë dhe rolin e ish-ministrit Ilir Beqaj.
Të dyshuarit e dosjes së sterilizimit kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë, në mesin e të cilëve janë dhe ish- zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilëve iu është dhënë masa e arrestit me burg. Megjithë pretendimet e tyre, Apeli vendosi që të linte në fuqi vendimin e shkallës së parë, deri në përfundimin e hetimeve.
Gjithashtu ndryshimin e masës së sigurisë kishin kërkuar edhe Marsela Serjani dhe Saimir Kadiu, të cilët janë në arrest shtëpie. Ndërsa redaktori Arben Gjata dhe Genc Burazeri, të dënuar me masën e detyrimit me paraqitje, e kanë kundërshtuar këtë masë duke kërkuar heqje të kësaj mase.
Dy të dyshuarit e tjerë, Naile Ajazi dhe Petro Mersini që ndodhen nën masën detyrim paraqitje nuk e kanë kundërshtuar masën e sigurisë, e vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga Nisma Thurje dhe Partia Demokratike. Denoncuesit pretendonin se kontratat e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale firmosur mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Service” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik. Një auditim i KLSH nxori se pajisjet me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.
Pak javë më parë ishte Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ajo që i kërkoi prokurorisë të shtrinte hetimet edhe tek ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani në lidhje me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale./Zëri.ai