
SHKODËR- I mbijetuari i atentatit të ndodhur në datën 27 Shtator në Dukagjin, Gjin Guri, ka folur për mediat në lidhje me ngjarjen e rëndë ku i vranë të atin, me të cilin ishte duke udhëtuar me makinë. Ai kundërshton policinë, që për ngjarjen ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar kushëririn e tij.
Gjin Guri ka deklaruar se nuk i ka parë autorët, ndërsa theksoi se ka rënë me makinë në humnerë dhe ka telefonuar një person me celularin e të atit, duke i thënë “më kanë vrarë babain”.
Gjin Guri: “Sa kam kaluar “Qafën e Shoshit”, pas 200 metrash ka krisur një breshëri automatiku. As s’kam parë njeri. Kam ikur me gjithë makinë dhe kam rënë poshtë.
Kam marrë telefonin e babait, se timin se kam parë dhe kam marrë dikë i them “m’i thuaj nipit se kam rënë poshtë se më kanë gjuajtur, më kanë vrarë babain. Kam qëndruar punë 40 minutash, erdhi nipi. I kam thënë “dajë jam 200 metra poshtë nën kryq”. Kam pas një elektrik dhe i kam treguar përmes elektrikut”.
Gjin Guri mohoi pretendimet e policisë se pas atentatit ndaj tij dhe babait, Zef Guri qëndron kushëriri i tij, Gjovalin Guri. Ai theksoi se “ata janë 7 vëllezër, me i vra të tërë ata, mua s’ma vendosin pushkën”.
Gjin Guri: “Se di fare kush është autori, por më kanë thënë nusja me djalin se kanë akuzuar djalin e xhaxhait. Ai është turpi më i madh në këtë tokë. Hallall vdekja, tani me nxjerr edhe djalin e xhaxhit kjo nuk bën vaki. Unë s’kam një të keqe, tërë botën e mendoj, atë se mendoj. Ata janë 7 vëllezër, me i vra të tërë ata, ata s’ma vendosin pushkën.
Shteti, me këtë gjest ka përdor… se di si ta them, kur më ka akuzuar djalin e xhaxhait. Shteti mos të rri i qetë të hetojë, jo tek djemtë e xhaxhait tim. Të gjendet autori, po jo djemtë e xhaxhait.
S’kam kurrfarë të keqe me ta. Unë ha, pi e rri aty me ta. Te asnjë njeri s’kam dyshime, vetëm se puna më e keqe që ka bërë shteti shqiptar është që më ka akuzuar djemtë e xhaxhait. S’kam pas konflikt, …muhabet po jo konflikt.”
Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 18:20 më 27 shtator, në aksin rrugor Kir-mali i Shoshit, teksa baba e bir po udhëtonin me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës.
Sipas uniformave blu, atentati ndaj baba e bir dyshohet se shkak janë konfliktet dhe kanosjet e vazhdueshme mes autorit të dyshuar dhe baba e bir, për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave dhe sipërfaqeve pyjore në zonë.
Autori i dyshuar është identifikuar Gjovalin Guri, i cili është shpallur në kërkim edhe për vepra të tjera penale./Zëri.ai