Aktualitet

“Jam Bashkim Ulaj, më jep 100 mijë euro”/ Mashtrimi me inteligjencë artificiale, arrestohen 2 persona në Tiranë (EMRAT)

Sipas hetimeve, 31-vjeçari Brian Serica dhe 23-vjeçari Skerdi Meta dyshohet se kanë kontaktuar 70-vjeçarin duke iu prezantuar si persona të njohur të tij.

M.K.
“Jam Bashkim Ulaj, më jep 100 mijë euro”/ Mashtrimi me
bashkim ulaj

TIRANË- Një 70-vjeçar, administrator i një pike këmbimi valutor në Tiranë, ka rënë pre e një skeme mashtrimi të realizuar përmes inteligjencës artificiale, duke humbur 100 mijë euro. Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Sipas hetimeve, 31-vjeçari Brian Serica dhe 23-vjeçari Skerdi Meta dyshohet se kanë kontaktuar 70-vjeçarin duke iu prezantuar si persona të njohur të tij. Gjatë komunikimit, ata kanë përdorur inteligjencën artificiale për të krijuar imazhin e biznesmenit Bashkim Ulaj, duke e bindur kambistin se ishte pikërisht ai personi që po i kërkonte shumën e parave.

Komunikimi përmes videos ka zgjatur vetëm disa sekonda, por ka qenë i mjaftueshëm që 70-vjeçari të besonte se po komunikonte me biznesmenin. Më pas, ai ka dorëzuar 100 mijë euro me premtimin se shuma do t’i kthehej brenda pak orësh.

Kur koha e premtuar kaloi dhe paratë nuk u kthyen, 70-vjeçari ka telefonuar numrin nga i cili ishte kontaktuar, por autorët e kishin bllokuar. Ai ka kontaktuar më pas vetë Bashkim Ulajn, i cili i ka deklaruar se nuk kishte dijeni për kërkesën dhe se nuk kishte komunikuar me të.

Pas kallëzimit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Tiranë nisën hetimet. Verifikimi i kamerave të sigurisë dhe gjurmimi i automjetit të përdorur në skemë, i cili rezultoi i marrë me qira, ndihmuan autoritetet në identifikimin e të dyshuarve.

Në kuadër të operacionit të koduar “Shuma”, policia arrestoi Brian Sericën dhe Skerdi Metën, ndërsa 31-vjeçari R. H. u shpall në kërkim. Hetimet vijojnë për kapjen e tij, si dhe për identifikimin e personit që ka shkuar në subjektin e 70-vjeçarit dhe ka marrë shumën e parave.

Ndërkohë, në një tjetër operacion të koduar “Imazhi”, policia arrestoi 37-vjeçarin Gentian Bufazi, i cili dyshohet se kishte mashtruar dy biznese në Tiranë duke marrë 20 mijë lekë me premtimin se do t’i kthente menjëherë. Sipas policisë, ai dyshohet gjithashtu se më 21 gusht ka vjedhur një çantë me 25 mijë lekë brenda, në një subjekt në rrugën “Skënder Luarasi”./ZËRI

Poll

MOS HUMB