Aktualitet

Krimin nuk e ndal as burgu!

Si lidhen Amarildo Nikolli dhe Nuredin Dumani?

k.m.
Krimin nuk e ndal as burgu!
Foto ilustruese

TIRANË- Data 29 Mars 2022 do të shënonte një ngjarje që Policia e Shtetit e projektonte, planifikonte dhe kërkonte prej kohës; kapjen e një prej personazheve të shumëkërkuar, killerit me pagesë Nuredin Dumani! Pas dështimit të dhjetra operacioneve për kapjen e tij, ishte “hasmi” ai që ia dha në dorë Dumanin, Policisë së Shtetit. Të shtënat në Papër të Elbasanit, sollën arrestimin e të shumëkërkuarit në Fier bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Henrik Hoxhaj. Pas arrestimit të tij, ajo që nuk pritej ndodhi!

Nuredin Dumani tha dy fjalë që për drejtësinë hapën shumë dyer: Do flas!

Vrasësi nga Elbasani që vitet e fundit lidhej me shumë ngjarje kriminale pranoi që të kthehej në një të penduar të drejtësisë duke nxjerrë kështu që të gjitha prapaskenat e botës së krimit. Foli me emra, data dhe të dhëna të pakundërshtueshme, duke u kthyer në një thesar për drejtësinë shqiptare, por jo vetëm. Ka raportime se edhe prokurorë të anti-mafias italiane kanë ardhur në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ta marrë në pyetje.

Vetëm ky detaj mjafton për të treguar rëndësinë e tij si personazh i botës së krimit. Ndoshta jo për nga potenciali, por për nga informacionet që kishte mbledhur. Përgjatë 2 viteve që do të pasonin, 2022 dhe 2023, Dumani ishte “superstar” i kronikës së zezë, sidomos me mesazhet e tij në aplikacionin “SkyECC”, ku mbante kodin “Alkatraz”. Brenda SPAK ai tregoi me detaje sesi kishin lindur hasmëri të mëdha, sesi ishte përfshirë ai, sesi shumë ngjarje nuk i kishte kryer, por edhe sesi vetë kishte futur në përplasje personazhe të botës së krimit. Një shembull ishte rrëfimi që ai bëri për porosinë që i kishte dhënë Ervis Martinaj për të eliminuar Endrit Doklen. Dumani tregoi se Martinaj i kishte ofruar 100 mijë euro për të vrarë Doklen, por ai nuk e kishte pranuar.

"Nuk doja të vrisja Endrit Doklen. I mora lekët, doja konflikt me Ervis Martinajn," - mësohet se është shprehur Dumani në rrëfimin e tij. Dumani ka thënë në SPAK në kuadër të dosjes ‘Plumbi i Artë’ se kishte marrë porosi nga Martinaj për të vrarë në këmbim të shumës prej 500 000 eurosh në total.

Por, me ditët që kalonin, ngjarjet i zinin vend njëra-tjetrës dhe emri i Dumanit u harrua. Për një moment, epiqendra e krimeve ishte Vlora. Atje ku edhe u parandalua një atentat ndaj Inez Hajrullës dhe Evis Matodashajt.

Si u planifikua vrasja?

Vrasja Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla dështoi sepse në gusht të 2023, në orën 12:47, në lagjen “Uji Ftohtë”, Policia ndaloi Amarildo Nikollin. Ky i fundit, kishte tërhequr vëmendjen e uniformave blu të qytetit, pasi në një ditë të nxehtë gushti, qarkullonte nëpër Vlorë i veshur me një xhup për të fshehur tatuazhet që kishte në trup. Por metoda që zgjodhi për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë në zonë, e evidentoi tek efektivët e Policisë që ndërhynë në kohë për të ndalur atentatin. Shënjestrat ishin dy: Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla! Sipas SPAK, eleminimi i dy personazheve të njohur në Vlorë, do të bëhej për hakmarrje, dhe për dominimin e tregut të lojërave të fatit.

I vënë përballë faktit se kishte planifikuar një vrasje, edhe Xhanej që më së shumti njihet si Amarildo Nikolli (mbiemri i të shoqes) vendosi që të tregonte gjithë çfarë dinte për ngjarjen duke u kthyer edhe ai në një "ndihmës të drejtësisë".

Por ku lidhen bashkë këto dy personazhe dhe pse?

Kjo është e paqartë! Teksa Amarildo ishte brenda në burg, “show” jashtë dhuronte e dashura/bashkëshortja e tij, Xhovana Nikolli. Ajo u kthye në një personazh pikërisht sepse ishte e para që zbuloi me fytyrë vrasësin me pagesë, por edhe sepse fliste hapur për të. Madje historinë e tyre e kishin reklamuar edhe në emisione televizive, para dhe pas burgut. Fillimisht të dy u prezantuan si një çift shumë i dashuruar që tregonin historinë e tyre.

Krimin nuk e ndal as burgu!
Dalja e parë publike

Gabimi i parë ky!

Nikolli u ekspozua për të gjithë. Pasi u fut në burg, Xhovana vazhdoi xhiron e saj televizive nëpër emisione në Shqipëri dhe në Kosovë ku tregonte dashurinë e saj…për një vrasës me pagesë. Mediat e trajtonin si një ndodhi të trishtë, kur në fakt ishte e kundërta. Kishim dhe kemi të bëjmë me një personazh që është faktuar se ka planifikuar një vrasje, kushdo qoftë objektivi, akuza dhe fakti janë një: është vrasës!

DALJET E XHOVANËS:

Krimin nuk e ndal as burgu!

Krimin nuk e ndal as burgu!

Krimin nuk e ndal as burgu!

Por çfarë i bën bashkë Dumanin dhe Nikollin? Pse po i trajtojmë?

Deri para pak javësh do të thoshim vetëm vendi ku po vuajnë dënimin: Burgu 313! Por tani gjërat kanë ndryshuar.

Ashtu siç pretendohet, para 2 muajsh, Nikolli i propozon Dumanit që të njihet me kunatën e tij, Aldën.

Shkesi” i njeh të dy dhe lidhja nis derisa disa ditë më parë, e motra e Aldës, Xhovana flet publikisht për “Nurin” dhe të dashurën e tij nga Kosova, Mirjetën. Madje këtë të fundit e kërcënon dhe i thotë që “do shihemi pas 2 ditësh”. Pas 2 ditësh fiks, pamë në lajme një shpërthim të ndodhur në Elbasan, në banesën që kishin marrë me qera dy motrat Nikolli.

Fatkeqësisht i plagosur mbeti Enea Thomarai, 29-vjeçar, një fqinj i tyre. I riu është ende në gjendje kritike për jetën, madje është në koma pasi dëmtimet që ka marrë në kokë janë shumë të rënda.

“Fraktura e bazës së kafkës është dëmtim shumë i rëndë, shpesh fatal,- thonë mjekët.

E teksa një i ri dergjet në spital, Alda Nikolli vendosi që të flasë! Në 5 minuta intervistë për “Top Channel” tha gjithçka që donte, duke lënë mënjanë shumë detaje të tjera të rëndësishme. Por le ta analizojmë me detaje intervistën e saj.

INTERVISTA E ALDA NIKOLLIT:

Alda Nikolli: Neve na vendosën një tritol në shtëpi, kjo erdhi si pasojë e një videoje, mendoj dhe dyshoj unë. Gjithashtu edhe një kërcënim që ne kemi marrë dy ditë përpara shpërthimit. Unë nuk di të kem pasur ndonjëherë probleme me njeri. Edhe nga ju është verifikuar që unë nuk kam pasur probleme. I vetmi kërcënim që unë kam marrë është i Nuredin Dumanit. Nuredin Dumanin unë e kam njohur nëpërmjet Amarildo Xhanej, kunatit tim, dhe ndodhet aktualisht në burgun 313. Ndodhen në një godinë. Jemi njoftuar nëpërmjet skype-it, kemi lidhur kontaktet e kemi vazhduar të flasim. Kemi folur 24/24. I lejohej atij. Nuredini është drejtor i burgut, jo i burgosur, se di kush e thotë. Mendova që donte të njihej, por paska pasur qëllim për të më përdorur, si mua dhe si motrën time Xhovanën. Atëherë qëllimi i Dumanit ishte që t’i hiqte statusin Amarildos, të pushonte nga puna prokuroren edhe të lante haqet me hasmin nëpërmjet meje.

*Është e paqartë sesi do të përdoreshin dy motrat! Mos vallë Alda zbulon pa dashur se në fakt do të kthehet në zërin e Dumanit jashtë burgut për të mbyllur “punët e tij”. Nëse po, duke qenë se e pranon vetë, atëherë Alda minimalisht duhet që të hetohet të paktën nga Prokuroria e Elbasanit për aktivitetin që ka kryer në emër të Dumanit. Tek kush ka shkuar, përse ka shkuar, më kë ka folur? Praktisht, kjo është prova që Dumani vazhdon aktivitetin e tij lirisht si të ishte jashtë!

Më tej, Alda tregon më shumë për “aktivitetin” e Dumanit!

Dorjana Bezat: Pse thua që ai është i interesuar për t’i hequr statusin e kunatit tënd? Ku e kuptove ti këtë gjë?

Alda Nikolli: Unë e kuptova sepse ma ka shprehur, ka deklaruar, më ka thënë që atë e ka futur aty Emiljano Shullazi, nuk e meriton të jetë aty, duhet ta heqi, motrën tënde do ta vrasin, këto kanë qenë fjalët e atij.Kishte dy vite që i kishte ndaluar gocat ajo (prokurorja). Nuredin Dumani kështu jeton, duke i vënë gjoba njerëzve, se nuk është se ka lekë.

Dorjana Bezat: Çfarë di ti për këtë gjobvënie? Vazhdon ta bëjë edhe në burg?

Alda Nikolli: Patjetër që po. Jo më larg se para disa ditësh i vuri gjobë Amarildo Nikollit 400 mijë euro. E ka detyruar të pranojë gjëra që ai nuk i ka bërë.

Dorjana Bezat: Në çfarë formash?

Alda Nikolli: Me presion. Do t’ia vinte edhe “Dakut”, ai është Leonard Luzi, por për fat të keq është kapur dje dhe nuk arriti dot t’ia vë. Kishte një kompjuter.

Pra: Dumani është në burg, por aktiviteti i tij vijon edhe jashtë! Në këtë pikë lind një konflikt i ri për drejtësinë! Për shembull, çfarë ndodh nëse Dumani kontakton me një person tjetër të botës së krimit dhe i kërkon një shumë “X” parash për të mos treguar një krim të ndodhur? A nuk e minon kjo të gjithë procesin e zhvilluar deri më tani ndaj tij. Kur kontakti i tij me botën jashtë duhet të ishte “steril” për të mos ndikuar në rrëfimin e ngjarjeve që Dumani ka dijeni, e kundërta ka ndodhur në fakt. A ka garanci që Dumani ka heshtur, ose ka treguar gjysmë të vërteta në kërkim të parave? Ose, ose, çfarë nëse ai vazhdon dhe porosit vrasje nga brenda burgut për të “larë” hesapet e tij? Jep dot një shpjegim për këtë SPAK!

Dorjana Bezat: Po çfarë të tregonte nga aktiviteti i tij?

Alda Nikolli: Më tregonte për ato vrasjet që kishte bërë me gjakftohtësinë më të madhe, më tregonte për atë vajzën që kishte përdhunuar dhe që ishte hedhur para makinës dhe kishte vdekur, e shumë gjëra të tjera.

Edhe për këto ngjarje, që deri më tani nuk dihet, Alda duhet marrë në pyetje! Ndoshta, mund të ngrihen akuza të tjera për të!

“Ndërkohë që unë nuk e dija që Nuredin Dumani na paska pasur edhe Mirjetën jashtë. Ka të dashur, është vajza që është kapur ditën e denoncimit, Mirjeta Avdiu. Mirjeta na mori guximin edhe të na kërcënojë. Ma vërteto thoshte që ke folur me të. Moj po kam folur i thoja, ia vërtetova me një voice. Pas 5 minutash ka marrë Nuredin Dumanin në telefon dhe më ka kërcënuar. Nuredin Dumani edhe pasi u mor vesh për Mirjetën, ne kemi vazhduar akoma të flasim. Por në momentin që ai mori vesh që unë kisha shkuar në SPAK dhe kisha deklaruar që unë i kam dorëzuar letrat atij… ai mban një bllok. Nuredin Dumani i ka shkëputur kontaktet me mua që në momentin që më ka kërcënuar. I kanë bllokuar të gjitha adresat. Që të rrinte i qetë. Donte të më linte i qetë nja dy dit dhe të vepronte pastaj. Më ka kërcënuar me Amarildon dhe e ka rrahur dy herë brenda javës. Aty, ai bën ligjin, ai futet me gjithë policë në dhomë. Mjafto shiko kërcënimet, atë që ndodhi para disa ditësh (shpërthimi me tritol), ky është Nuerdin Dumani, që merret me femra, se me burrat i ka mbyllur hesapet,”-thotë ajo ndër të tjera dhe nxjerr telefonin për të riparë mesazhet.

ZËRI ka mundur që të shquajë disa prej tyre, në të cilat lexohet:

Krimin nuk e ndal as burgu!

Krimin nuk e ndal as burgu!

Krimin nuk e ndal as burgu!

Krimin nuk e ndal as burgu!

"dhe kur thotë që do i fus në sherr me qorrin ma shpjegoj aty çdo..."

"jam unë dhe ato të 2"

"se po e ka bo do ketë shumë probleme"

"sesa frikë ka ajo unë e di....njof por ka qen per mu...."

*(në vendet kur kemi ‘…’ nuk kuptohet qartë se çfarë është shkruar)*

“Unë kam shkuar në SPAK, kam vajtur tek Policia e Elbasanit. Asnjë nuk e merr mundimin, ose më saktë nuk ka shance ta bëjnë një denoncim kundrejt Nuredin Dumanit,”-e mbyll Alda rrëfimin e saj…

Minimalisht, të paktën t’i ishte sekuestruar telefoni, pasi përveç bisedave romantike që mund të kenë ndarë me njëri-tjetrin e që nuk i hyjnë në punë askujt, mund të ketë të dhëna me vlerë për shumë ngjarje të tjera. Por deri më tani, Alda është lënë në gjendje të lirë, Dumanit i është prerë interneti dhe e gjithë ngjarja do të harrohet, ndoshta javën që vjen. Por teksa flasim, Policia nuk ka gjetur dot as personin që ka vendosur tritolin, i cili mesiguri nga diku e ka marrë urdhërin…dhe pse jo nga qelia ku palestrohej Dumani!

Teksa mijëra pikëpyetje ngrihen lidhur me atë që ndodh brenda burgjeve, jashtë një njeri lufton për jetën, ndërsa motrat Nikolli vazhdojnë luftën në rrjetet e tyre sociale. Xhovana nga njëra anë fton Dumanin t’i vendosë prapë tritol, ndërsa Alda hesht.

Bashkë me Aldën, edhe drejtësia…/ZËRI

Poll

MOS HUMB