Aktualitet

Beqaj në qeli për abuzim me fondet e BE, SPAK i kontrollon banesën në Vlorë. Avokati: Nuk e ka ish-ministri

Hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë zbarkuar në Vlorë për të kontrolluar banesën e ish-ministrit, por kanë hasur një "problem". Derën e mbyllur të apartamentit. 

k.m.
Beqaj në qeli për abuzim me fondet e BE, SPAK i kontrollon
Ilir Beqaj

VLORË- Ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-drejtuesi i SASPAC, Ilir Beqaj ndodhet në burg, SPAK po i kontrollon banesën që ka në zonën e Lungomares në Vlorë. Hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë zbarkuar në Vlorë për të kontrolluar banesën e ish-ministrit, por kanë hasur një "problem". Derën e mbyllur të apartamentit. 

Por problemi është tejkaluar shpejt, pasi dera e apartamentit është hapur me forcë nga forcat zjarrfikëse. Bëhet fjalë për një apartament në katin e 7 të një pallati pranë Lungomares në Vlorë. Banesa ku është shkuar për kontroll ishte marrë me qira nga Beqaj në 2020, ndaj edhe avokati i Beqajt, Ermal Yezeiraj nuk ka pranuar të shkojë pasi në dijeni e tij nuk është e lidhur aktualisht kjo kontratë qiraje.

Avokati i Ilir Beqajt, Ermal Yezeiraj përmes një përgjigjeje për Ora News, shkruan se është kontaktuar nga oficerët e SPAK për kontrollin në banesën e Beqajt.

"Sot më datë 24.07.2024, rreth orës 14:00, unë si avokat i z. Ilir Beqaj jam kontaktuar në telefon nga oficerët përkatës të SPAK, të cilët më kërkuan të isha prezent në kontrollin që do t’i bëhej (sipas tyre) shtëpisë në pronësi të z. Ilir Beqaj në Vlorë, duke më kërkuar gjithashtu që tu sillja nga Tirana dhe çelësin e kësaj shtëpie pasi në rast të kundërt do të shpërthenin derën. Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka patur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020. Përgjigja ime ishte që nëse bëhet fjalë për shtëpinë që z. Beqaj ka patur me qira dhe që e ka deklaruar dhe në ILDKPKI, kjo kontratë qiraje e 2020 ka kohë që nuk është më në fuqi dhe z. Ilir Beqaj ka kohë që nuk e përdor më këtë shtëpi me qira, prandaj unë si avokat nuk kisha përse të nisesha nga Tirana për në Vlorë për të marrë pjesë në kontrollin e një banesë që ishte në pronësi dhe në përdorim të dikujt tjetër dhe madje një kërkesë e tillë ishte dhe tërësisht e paligjshme. Z. Ilir Beqaj nuk është as qiramarrës dhe as posedues i këtij apartamenti. Madje nuk ka sens logjik që z. Beqaj të jetë përdorues i këtij apartamenti kur të gjithë e dinë që z. Ilir Beqaj është tashmë në ambientet e paraburgimit. Një kontroll i tillë është veçse një tentativë e dëshpëruar (në nivelet e një fiksimi) për të gjetur me çdo kusht një arsye që z. Ilir Beqaj të mbahet në burg dhe tregon që arsyet e deritanishme nuk paskan qenë dhe kaq bindëse sa pretendohej se ishin. Përkundrazi të gjitha veprimet e deritanishme për mbajtjen e z. Beqaj me masë sigurie arrest në burg janë haptazi në kundërshtim me jurisprudencën e GJEDNJ. Pyetja kryesore që të gjithë duhet ti bëjnë SPAK në këto momente, përfshirë edhe vetë Gjykatën, është: mbi çfarë provash bazohet dyshimi i ikjes së z. Beqaj, i prishjes prej tij të ndonjë prove apo i kryerjes së ndonjë vepre tjetër penale, kur deri më tani z. Beqaj ka qëndruar për muaj me radhë mbi prova, brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme dhe vetëm ka kontribuar për inventarizimin e tyre (kërkuar kjo nga vetë Gjykata e Posaçme)??? Urojmë që gjykatat të reflektojnë dhe mos jenë thjesht noterë të kësaj gjuetie të paligjshme!"

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur dyshime se ish-ministri Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por SPAK nuk e ka një shifër ekzakte.

Arrestimi i Beqajt u bë në 4 korrik dhe një ditë më pas në 5 korrik GJKKO, e la në arrest me burg, pavarësisht se ofroi 50 mijë euro garanci për të marrë lirinë. Edhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Ermal Kurtuljat, u la në qeli ndërsa për lirinë me kusht e cila iu refuzua, ofroi paratë e shitjes së një Audi Q7. Në masën "arrest shtëpie" janë lënë: Gazmend Haxhia, Elton Marini, Alfred Nikollaj, Gazmend Haxhia; ndërsa "detyrim paraqitje", Bledar Leka dhe Bjona Zijaj./ZËRI

Poll

MOS HUMB