
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” Izmit Sakicës dhe Samuel Troshanit. Ata akuzohen se janë autorët e atentatit të mbetur në tentativë në gusht të vitit 2023 në Bushat të Vaut të Dejës. Dy ditë më parë Struktura e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvilloi një aksion në Shkodër në kuadër të hetimeve për përplasjen me armë të ndodhur në Rranxë të Bushatit, ku u godit me armë autmojeti i blinduar “Audi A8”.
Sipas SPAK, nga hetimet e zhvilluara rezulton se më 23 gusht 2024, rreth orës 17.00 të pasdites, Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar kanë shkuar me mjete të blinduara në Bushat. Në bazë të hetimeve që janë kryer, SPAK ka dalë në përfundimin se të këto persona ishin nisur për të ekzekutuar me armë zjarri Aleksandër Prendin dhe familjarët e tij në zonë (vëllait të tij, Andrea Prendi). Por sapo kanë shkuar në Bushat janë pikasur të parët nga shënjestra e tyre, ndaj edhe Aleksandër Prendi ka hapur zjarr i pari.
Gjithashtu, Struktura e Posaçme njofton se me urdhër të GJKKO-së është ushtruar kontroll në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim; ose janë vende ku mendohet se mund të të gjenden prova për vepra penale. Por nuk i kanë zbuluar me emër se cilat prona kanë kontrolluar.
Të njëjtët emra përmenden edhe për masakrën e Dobraçit, ku u vranë 4 persona, dy prej tyre të pafajshëm. Sipas dosjes hetimore, ka dyshime se si Izmir Sakicaj ashtu edhe miku i tij i ngushtë, Samuel Troshani ishin pjesë e "togës së pushkatimit" në Shkodër./ZËRI